Mundja fiton dy norma për Lojërat Evropiane Minsk 2019, shkon në 11 numri i sportistëve që do ta përfaqësojnë Kosovën

  • 27 April 2019 - 14:52
Mundja fiton dy norma për Lojërat Evropiane Minsk 2019, shkon në 11 numri i sportistëve që do ta përfaqësojnë Kosovën

Komitetit Olimpik të Kosovës i janë konfirmuar dy norma kualifikuese për sportin e mundjes, për pjesëmarrje në Lojërat e dyta Evropiane Minsk 2019, të cilat mbahen prej 21-30 qershor të këtij viti në kryeqytetin e Bjellorusisë.

Mundja normat i ka fituar në kategoritë deri në 57 kilogramë dhe deri në 125 kilogramë.

Fitimi i normave për Federatën e Mundjes së Kosovës vjen pas paraqitjeve të mundësve Drilon Syla (-57 kg) dhe Egzon Shala (-125 kg), në kampionatin evropian, të mbajtur në fillim të këtij muaji në Bukuresht të Rumanisë.

Evropiani ishte kualifikues edhe për Lojërat Evropiane Minsk 2019. Shala kishte shënuar një fitore, ndërsa Sylës i kishte mjaftuar humbja me rezultat të ngushtë në raundin e parë, e cila ia ka mundësuar fitimin e normës kualifikuese për në Minsk 2019. Pikërisht Syla e Shala do të përfaqësojnë mundjen e Kosovës në Minsk.

Me dy normat e mundjes, numri i sportistëve që do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat e dyta Evropiane Minsk 2019 shkon në 11. Pesë norma janë nga xhudoja, kurse nga një ftesë është për boksin, karatenë, pingpongun dhe shigjetarinë.

Lista e deritashme e sportistëve të Kosovës të konfirmuar për në Minsk 2019

Majlinda Kelmendi (xhudo)
Nora Gjakova (xhudo)
Distria Krasniqi (xhudo)
Akil Gjakova (xhudo)
Loriana Kuka (xhudo)
Egzon Shala (mundje)
Drilon Syla (mundje)
Donjeta Sadiku (boks)
Alvin Karaqi (karate)
Fatih Karabaxhaku (pingpong)
Ardita Zejnullahu (shigjetari)

(Kosova Sot)