Legjenda angleze për Messin: Alienët po çiftohen me njerëzit

  • 27 April 2019 - 17:00
Legjenda angleze për Messin: Alienët po çiftohen me njerëzit

Ish-ylli i Anglisë, Gary Lineker, vazhdon të jetë njëri ndër tifozët më të famshëm të Lionel Messit në botë. Se sa shumë e adhuron argjentinasin, Lineker e ka bërë të ditur edhe përmes postimit të tij të fundit në llogarinë e tij në Twitter.

Gazeta prestigjioze Huffington Post e publikoi një artikull, në të cilën një profesor i Universitet Oxford pretendon se alienët po çiftohen me njerëzit për ta shpëtuar planetin Tokë.

Ylli argjentinas i Barcelonës, Lionel Messi, është cilësuar shpeshherë si alien për shkak të aftësisë të tij në fushën e futbollit dhe pikërisht këtë gjë e ka sugjeruar legjenda e Anglisë, Gary Lineker.

Lineker iu referua këtij artikulli të Huffington Post dhe shkroi mbi të: “Më në fund një sqarim për Messin”.

Edhe pse Messi është duke shkuar drejt fundit të karrierës së tij, 31-vjeçari është duke e kaluar një sezon të jashtëzakonshëm. Argjentinasi i ka shënuar 45 gola dhe i ka asistuar 22 të tjera në 44 ndeshje të zhvilluara dhe ka mundësi ta fitojë tripletën këtë sezon.

Sonte, Messi e ka mundësinë që ta ngrejë lart trofeun e La ligës për herë të dhjetë në karrierën e tij me Barcelonën. Këtë gjë mund ta arrijë me fitore ndaj Levantes, por mund ta sigurojë titullin edhe para se të dalë në fushë, nëse Real Valladolidi e mposht Atletico Madridin.

Lionel Messi ka fituar çdo titull në botën e futbollit të klubeve. Megjithatë, kjo gjë nuk vlen edhe për karrierën e tij me ekipin kombëtar të Argjentinës, me të cilët ka dështuar ta fitojë ndonjë garë të madhe deri më tani. Skuadra e Argjentinës pësoi disfatë në Kupën e Botës 2018, ku u eliminuan nga Franca në fazën eliminatore.

Pesë-herë fituesi i Topit të Artë u kthye në ekipin e Argjentinës pas një pushimi të gjatë që e kishte marrë pas Kupës së Botës. Messi nuk arriti ta fitojë ndeshjen kundër Venezuelës, në të cilën u lëndua dhe u kthye në Barcelonë, në pamundësi për të luajtur kundër Marokut. 

(Kosova Sot)