Favorizohet Besa

  • 28 April 2019 - 09:15
Favorizohet Besa

Pejanët shihen si favoritë ndaj Kastriotit të Ferizajt

 Barazimi ndërmjet Kastriotit dhe Prishtinës ka bërë që pejanët të jenë në krye të tabelës dhe të favorizohen për titullin e kampionit. Në fakt, në vitet e fundit, pejanët kanë dominuar pa problem në hendbollin kosovar, megjithatë, ky kampionat ishte më i baraspeshuar. Gjithashtu edhe lojtarët e rinj kishin më shumë hapësira

Me rezultat të barabartë ka përfunduar derbi i xhiros së 26-të në Superligën A të Kosovës në hendboll. Në Ferizaj, Kastrioti e Prishtina luajtën baras, 27:27. Edhe pas pjesës së parë rezultati ishte i barabartë, 14:14. Kështu Kastrioti mbetet në vend të dytë me 45 pikë, ndërsa Prishtina është e treta me 39 pikë. Udhëheq në tabelë Besa Famgas me 48 pikë. P. Bassomben me 12 gola ishte bindshëm më efikasi te ferizajasit. Liridon Fetahu realizoi 7 gola për Prishtinën. Në pjesën e parë Prishtina ishte thuajse vazhdimisht në epërsi të lehtë, që në një moment shkoi deri në katër gola (7:3). Edhe fillimi i pjesës së dytë iu takoi prishtinasve, që epërsi të lehtë kishin deri në minutën e 54-t. Më pas vendasit kishin një gol epërsi 26:25, por rezultati u barazua në 26:26. Epërsia 27:26 e Kastriotit u arrit në minutën e 58-të, por Prishtina barazoi në 27:27 në minutën e fundit të ndeshjes dramatike. Deri në përfundim të garave të rregullta kanë mbetur edhe dy xhiro, e më pas të nisin garat shtesë apo “Play-off”-i.

 Përparësia e fushës

Në vitet e fundit, Besa ka dominuar pa problem në elitën e hendbollit, duke fituar titullin dhe Kupën, madje, në disa edicione nuk kanë pësuar humbje. Por, ky kampionat ishte më i balancuar, me një Kastriot dhe Prishtinë më të organizuar. Ish-hendbollisti i disa skuadrave kosovare, Alban Dobroshi, ka favorizuar pejanët për titullin e kampionit. “Mendoj se barazimi ndërmjet Kastriotit dhe Prishtinës ka bërë që pejanët të jenë më të favorizuar. Ata tashmë kanë përparësinë e fushës dhe kjo mund të jetë vendimtare sa i përket titullit të kampionit. Derisa më parë gjasat i kishin 50-50 % me Kastriotin, tashmë Besën e shoh më favorite për titullin e kampionit, apo për të mbrojtur trofeun. Fusha vendase ka shumë përparësi në fazën e garave shtesë, madje, shpesh herë është vendimtare, duke mos përjashtuar edhe befasitë e mundshme. Sidoqoftë, ky kampionat ka qenë më i balancuar, sepse në vitet e kaluara, Besa Famgas, ka dominuar pa problem. Të ketë më shumë rivalitet është në të mirën e hendbollit”, është shprehur Alban Dobroshi për gazetën “Kosova Sot”. Dobroshi më parë ka qenë lojtar i Prishtinës, Kastriotit dhe Besës, tre skuadra që kanë luftuar për trofe dhe me traditë në hendbollin kosovar.

Më herët kishte më shumë konkurrencë dhe shikues

Dobroshi flet edhe për dallimin e këtij kampionati, me ata të viteve të kaluara. “Mendoj se kishte më shumë konkurrencë. Gjithashtu Kastrioti është organizuar mirë dhe kishte shumë shikues në Ferizaj. Sidoqoftë, interesimi kur kam luajtur unë ka qenë më i madh dhe ka pasur më shumë derbi gjatë një kampionati. Në këtë aspekt ka ndikuar edhe dominimi i Besës për disa vite. Por, në këtë kampionat i është dhënë më shumë hapësirë edhe lojtarëve të rinj. Kjo është shumë e rëndësishme. Mendoj se nga ajo që kanë pasur më shumë hapësirë nëpër klube, ka bërë që edhe Kosova U-21 të kualifikohet në Kampionatin Botëror. Por, duhet bërë më shumë marketing sa i përket kësaj çështje, sepse tifozët janë orientuar në futboll e basketboll, derisa hendbolli ka mbetur anash. Hendbolli nuk e meriton të jetë anash. Kosova U-21 është e para nga sportet kolektive që kualifikohet në një Kampionat Botëror. Këtë sukses nuk e kanë arritur sportet tjera. Duhet dhënë më shumë hapësirë dhe të punohet më shumë me gjenerata të reja. Mendoj se sa i përket kësaj çështje, hendbolli ka treguar disa shenja pozitive”, është shprehur tutje Alban Dobroshi për gazetën “Kosova Sot”.

Në renditje udhëheq Besa Famgas me 48, derisa Kastrioti mbetet në vend të dytë me 45 pikë, ndërsa Prishtina është e treta me 39 pikë

Besa Famgas ka dominuar pa problem në vitet e fundit, por në këtë edicion kishte më shumë konkurrencë. Sidoqoftë, pejanët favorizohen për titullin e kampionit, sidomos pas barazimit ndërmjet Kastriotit dhe Prishtinës

(Kosova Sot)