Pasi e grushtoi tifozin, Neymar i godet edhe bashkëlojtarët, i fajëson për humbjen në Kupë

  • 28 April 2019 - 10:42
Pasi e grushtoi tifozin, Neymar i godet edhe bashkëlojtarët, i fajëson për humbjen në Kupë

Neymari u ka bërë thirrje bashkëlojtarëve të vet t’i dëgjojnë futbollistët me përvojë në skuadrën e Paris Saint-Germainit, duke shprehur pakënaqësinë e tij me humbjen në finale të Kupës së Francës kundër Rennes.

Rennes e fitoi Kupën e Francës 6:5 në penallti, pasi ndeshja e rregullt përfundoi pa fitues 2:2 të shtunën, edhe pse kampioni i Ligë 1 kishte në dorë një epërsi prej dy golave

Neymari u paraqit për herë të parë që prej lëndimit të tij serioz në janar dhe shënoi golin e dytë të PSG-së, pasi Dani Alves e kishte hapur serinë e golave.

Por PSG-ja kapitulloi – njëlloj siç bëri në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve kundër Manchester Unitedit – dhe Rennes u largua nga kryeqyteti francez me trofe në dorë.

Dhe Neymar, i cili pas ndeshjes e goditi grusht një tifoz duke shprehur zemërimin e tij, i kritikoi edhe bashkëlojtarët e tij.

“Duhet të jemi burra në dhomën e zhveshjes, e po ashtu edhe më të bashkuar”, tha Neymar pas ndeshjes.

“Shoh shumë lojtarë të rinj, të cilët më shumë flasin sesa që dëgjojnë”, shtoi ai.

“Ata duhet të dëgjojnë më shume sesa të flasin. Nganjëherë dikush me përvojë flet, e ata përgjigjen. Vetë trajneri flet e ata ia kthejnë. Kështu nuk shkohet përpara”, këmbënguli ai.

(Kosova Sot)