Bayerni nuk e shfrytëzon gabimin e Dortmundit, ndalet nga Nurnbergu

  • 28 April 2019 - 20:26
Bayerni nuk e shfrytëzon gabimin e Dortmundit, ndalet nga Nurnbergu

Bayern Munich ka marrë vetëm një pikë në udhëtim te Nurnberg, duke barazuar 1-1.

Bayern Munich nuk e ka shfrytëzuar gabimin e Borussia Dortmundit, duke marrë vetëm një pikë në udhëtim te Nurnbergu, sfidë që përfundoi 1-1.

Të parët në epërsi kaluan vendasit. Ishte 22-vjeçari, Matheus Pereira, ai që shënoi për 1-0 në minutën e 49’.

Bayerni barazoi rezultatin në minutën e 75’, Serge Gnabry shënoi për 1-1.

Në fund të takimit, si Nurnberg, ashtu edhe Bayerni kanë mundur t’i rrëmbejnë pikat e plota.

Fillimisht vendasit lëshuan një mundësi të mirë për të kaluar në epërsi. Tim Leibold dështoi nga penalltia.

Menjëherë pas kësaj penalltie të humbur, mysafirët kishin mundësi të shënojnë golin e tri pikëve. Por, Kingsley Coman dështoi i vetëm përball portierit, Christian Mathenia.

Kështu, 3 xhiro para fundit të sezonit në Bundesligë, Bayerni gjendet në pozitën e parë me 71 pikë, dy më shumë se Dortmundi, e që shumë lehtë ka mundur të shkojë në katër.

(Kosova Sot)