Messi, De Jong dhe De Ligt: Barcelona do të jetë e frikshme sezonin e ardhshëm

  • 29 April 2019 - 14:48
Messi, De Jong dhe De Ligt: Barcelona do të jetë e frikshme sezonin e ardhshëm

Ta gjesh Lionel Messin e ri mund të jetë e pamundur, por Barça duket se tashmë i ka siguruar zëvendësuesit e Sergio Busquets dhe Gerard Pique.

Pas humbjes së Willem II kundër Ajaxit në Erdivisie në fillim të këtij muaji, Pol Llonch e kishte pyetur Matthijs de Ligt nëse do t’i bashkohej Barcelonën në fund të këtij sezoni.

Sipas mesfushorit spanjoll të Willem II, qendërmbrojtësi adoleshent ishte përgjigjur: “shpresoj se po”. 

Klubet e tjera evropiane do të shpresojnë se De Ligt nuk përfundon në fanellën e gjigantit katalonas, megjithatë, sepse vetëm ideja që Barcelona do të përforcohet jo nga një, por nga dy yjet më të mëdha të Ajaxit, do të jetë tmerruese për të gjithë kundërshtarët e saj, shkruan Goal.

Blaugrana, natyrisht, tashmë e ka siguruar Frenkie de Jongun, të cilin e bleu në janar për 75 milionë euro dhe ai do t’i bashkohet klubit në verë. Presidenti i klubit, Josep Maria Bartomeu, e pranoi se i ishte dashur të lëvizte shpejt për t’i siguruar shërbimet e njërit prej futbollistëve më premtues në Evropë.

“Ne donim ta blinim De Jongun në verë, por patëm shumë presion. Edhe ekipet e tjera e donin atë prandaj e blemë tani [janar]“, pati thënë ai.

“Gjithmonë kam ëndërruar të luaj për Barçën, qysh si fëmijë”, pati thënë 21-vjeçari përfaqësues i Holandës pasi e konfirmoi transferimin e tij. 

“Thjesht kam dashur të luaj për Barçën. Më pëlqejnë lojtarët dhe më pëlqen stili i lojës së tyre”.

Në esencë në Barçë luhet stili i njëjtë i futbollit të cilin De Jong e ka mësuar që prej se i ishte bashkuar Ajaxit nga Willem II para katër viteve.

De Ligt është edhe më i mësuar me traditën e Ajaxit, pasi i ishte bashkuar klubit si nëntë vjeçar. Ai u bë kapiteni më i ri në moshë i Ajaxit në mars të vitit të kaluar, vetëm 18 vjeç.

Ai vendim u dëshmua si zgjedhje e frymëzuar, me De Ligt që jo vetëm se ka shpërthyer si njëri prej mbrojtësve me klasë dhe vetëpërmbajtje të rrallë por edhe si lider i palëkundur e sypatrembur.

“De Ligt është vetëm 19 vjeç por e ka sharmin dhe vetëbesimin e një 30-vjeçari”, Rafael van der Vaart, ish-mesfushori i Ajaxit, tha për Sport 1.

Sigurisht, De Ligt ka qenë shembulli për t’u ndjekur në ecurinë e shquar të Ajaxit deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve për herë të parë që prej vitit 1997.

Në fund të fundit, ishte ai që e shënoi golin vendimtar për ta eliminuar Juventusin e Cristiano Ronaldos në çerekfinale.

Komplimenti më i madh që ai e ka marrë ishte nga gazeta italiane, Gazzetta dello Sport, që iu referua atij thjesht si “E ardhmja”. 

Dhe e ardhmja e tij është në Barcelona.

Goal ka mësuar se transferimi i tij në Barcelonë është finalizuar, por nuk do të bëhet publik deri në momentin kur Ajaxi nuk lufton për asnjë titull në këtë sezon.

(Kosova Sot)