Menaxheri i Rashicës, Lala: Miloti po i bën krenarë të gjithë, do të bëhet edhe më i mirë

  • 29 April 2019 - 15:51
Menaxheri i Rashicës, Lala: Miloti po i bën krenarë të gjithë, do të bëhet edhe më i mirë

Altin Lala, ish-kapiteni i ekipit kombëtar të Shqipërisë dhe tani menaxheri i yllit në rritje të ekipit kombëtar të Kosovës, Milot Rashicës, beson se kosovari do të bëhet futbollist edhe më i mirë, pas paraqitjeve mbresëlënëse të Milotit në fanellën e Werder Bremenit në muajt e fundit.

Anësori 22-vjeçar i ka shënuar 10 gola në 13 paraqitje në të gjitha garat në vitin 2019 për Bremenin, duke e vulosur statusin si futbollisti më në formë i Kosovës dhe klubit të tij në katër muajt e fundit.

Ylli nga Vushtrria i ndihmoi Werderit të arrijë deri në gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë, para se të eliminohej nga Bayern Munich, duke i shënuar tri gola në katër paraqitje në këtë garë.

Lala, i cili i ka bërë 79 paraqitje me kombëtaren shqiptare gjatë karrierës së tij, e ka lartësuar klientin e tij, duke thënë se është në rrugën e duhur për t’u përmirësuar në mënyrë që të luajë në një klub të madh evropian.

Gjatë një vizite në Kosovë këtë fundjavë, 43-vjeçari tha për SuperSport: “Miloti është duke bërë jashtëzakonisht mirë sidomos nga janari. Është në rrugën e duhur dhe për mendimin tim në një përqindje të madhe do të bëhet edhe më i mirë”.

“Ai po kënaq tifozët e Werderit, por edhe shqiptarët që jetojnë në Gjermani, Kosovë apo Shqipëri, që janë krenarë për të”, shtoi ai. 

(Kosova Sot)