“Diferenca mes Shqipërisë dhe Kosovës? Do të doja të kishim një Kombëtare”

  • 29 April 2019 - 16:49
“Diferenca mes Shqipërisë dhe Kosovës? Do të doja të kishim një Kombëtare”

Kosova ka një skuadër të re dhe shumë të talentuar, kurse Shqipëria lojtar më të moshuar dhe më shumë eksperiencë, kjo është diferenca mes Kosovës e Shqipërisë për Lalan.

Altin Lala, ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare dhe tani menaxheri i yllit në rritje të ekipit kombëtar të Kosovës, Milot Rashicës, në një intervistë për Super Sport, ka folur për Kombëtaren e Kosovës dhe atë të Shqipërisë.

Duke treguar se si Rashica po ritet dita ditës te Werder Bremen dhe ka zgjuar interesimin e shumë klubeve evropiane, ai u ndal edhe te Kombëtarja e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë.

Lala, i cili i ka bërë 79 paraqitje me kombëtaren shqiptare gjatë karrierës së tij, e ka lartësuar Kosovën, duke thënë se ka një të ardhme të ndritur.

“Diferenca mes Shqipërisë dhe Kosovës? Shqipëria dhe Kosova janë aty-aty në nivel, por Kosova ka shumë talente edhe është në zhvillim e sipër. Të Shqipëria lojtarët janë në moshë disi më të madhe, kanë më shumë eksperiencë, por Kosova ka shumë talente dhe premisa që të bëjë dhe më mirë në të ardhmen. Kjo është, le të themi, diferenca mes Shqipërisë dhe Kosovës, megjithëse unë do të doja që të kishim vetëm një kombëtare”, u shpreh Lala.

(Kosova Sot)