Jahmir Hyka po kalon formë të mirë në Izrael

  • 29 April 2019 - 17:34
Jahmir Hyka po kalon formë të mirë në Izrael

Jahmir Hyka konfirmon çastin e mrekullueshëm që po kalon në kampionatin izraelit të futbollit. Pas dy golave të realizuar në sfidën ndaj Hapoel Haderas, shqiptari ishte sërish protagonist për skuadrën e tij Maccabi Netanya.

31-vjeçari ishte gjatë gjithë takimit një pikë referimi për ekipin e tij dhe shumë aksione kalonin nëpërmjet këmbëve të tij. 
Elegant, me klas e teknikë, futbollisti shqiptar në rastin e golit e dytë, fillimisht dribloi me qetësi e finesë mbrojtësin kundërshtar e më pas me të jashtmen i dhuroi pasimin vendimtar Moty Barshazkyt, i cili realizoi golin më të thjeshtë në botë.

Tiranasi e shënoi emrin në listën e futbollistëve më të mirë të takimit, madje asistimet e dhuruara prej tij do të kishin qenë dy, nëse shqiptari me pasaportë malazeze, Fatos Beqiraj, pas topit të marrë nga Hyka, nuk do të kish goditur traversën.

Mesfushori me mendësi sulmuese u largua nga amerikanët e San Jose Earthquakes dhe në janar nënshkroi për skuadrën izraelite, duke u shndërruar tashmë në një nga lojtarët më të vlerësuar.

Aktualisht, me fitoren 0-2 ndaj Hapoel Beer Shevas, Maccabi Netanya ndodhet në vendin e tretë, pozicion që dërgon në Europa League.

(Kosova Sot)