Adani sulmon sërish Allegrin: Është arrogant, Ronaldo nuk u ble për të mundur Chievon

  • 29 April 2019 - 22:13
Adani sulmon sërish Allegrin: Është arrogant, Ronaldo nuk u ble për të mundur Chievon

Përplasja që ndodhi të shtunën në mbrëmje mes opinionistit Daniele Adani dhe trajnerit te Juventusit, Massimiliano Allegri, është spostuar në një debat në distancë mes të dyve tashmë.

Kështu pas reagimit të Allegrit dje, që akuzoi ish mbrojtësin e Interit se nuk ia ka idenë trajningut dhe se provokon në mënyrë të shëmtuar, ka ardhur edhe kundërpërgjigja e Adanit.

Në një reagim në rrjetet sociale, analisti i Sky Sport theksoi se të gjitha pyetjet e tij në lidhjet live, kanë për qëllim t’i përgjigjen interesit të publikut dhe jo atij personalisht, ndërsa tha se Allegri bëri gabim që u largua duke hequr mikrofonin, pa dhënë përgjigje.

“U tregua i paedukatë, i pasjellshëm dhe arrogant. Ai duhet të kuptojë se unë personalisht nuk kam nevojë t’i bëj ato pyetje, por janë shqetësime që i ngrenë sportdashësit dhe duke u larguar nga përgjigja e studioja, ka ofenduar ata. Është trajneri i Juventusit dhe me të nuk mund të flasim vetëm për barazimin 1-1 ndaj Interit. Bardhezinjët synojnë Championsin dhe Allegri e di mirë që Ronaldo nuk erdhi për të mposhtur Chievon”, tha Adani.

(Kosova Sot)