Barcelona e kalon Real Madridin me trofe falë Messit

  • 30 April 2019 - 08:35
Barcelona e kalon Real Madridin me trofe falë Messit

Që nga momenti kur Lionel Messi debutoi me ekipin e parë të Barcelonës, klubi katalonas e ka ndryshuar fatin sa i përket garës me rivalin e vjetër, Real Madridin, për trofe.

Se sa ka ndryshuar gara mes Barcelonës dhe Real Madridit për shkak të ndikimit të Lionel Messit e ka treguar një përdorues në Twitter, përmes disa statistikave interesante për kapitenin e Barcelonës

Para se Messi të debutonte si futbollist profesionist për klubin katalonas në vitin 2004, “Los Blancos” i kishin 11 trofe më shumë sesa Barcelona.

Atëkohë, Real Madridi i kishte 72 trofe të grumbulluara në kabinetin e klubit, ndërsa Barcelona i vinte pas me 61 të tilla.

Por, pastaj skuadrës së Barcelonës iu shtua Lionel Messi. Pesëmbëdhjetë vjet pas debutimit të tij në La Liga, Barcelona e ka kaluar Real Madridit sa i përket numrit të trofeve (95 me 92).

Pas largimit të Cristiano Ronaldos nga “Los Blancos” verën e kaluar, Real Madridi i ka ndryshuar tre trajnerë – Julen Lopetegui, Santiago Solari dhe Zinedine Zidane – dhe prapëseprapë e ka përfunduar sezonin pa trofe.

Në anën tjetër, Barcelona e siguroi në fundjavë titullin e La Ligës me fitore 1:0 kundër Levantes. Messi u inkuadrua në lojë në pjesën e dytë nga stoli dhe e shënoi golin e fitores.

Skuadra e Ernesto Valverdes ende është në garë për ta fituar tripletën këtë sezon, pasi që është në finale të Kupës së Mbretit, ku do të përballet me Valencian, ndërsa me Liverpoolit do të përballet të mërkurën në kuadër të gjysmëfinaleve të Ligës së Kampionëve.

Në 15 sezonet e tij në La Liga, Messi është shpallur kampion dhjetë herë. Nga gjithsej 450 ndeshjet e zhvilluara, ai i ka fituar 338 dhe i ka shënuar 417 gola. 

(Kosova Sot)