Para ndeshjes me Barçën, Xherdan Shaqiri merr lajmin e vitit

  • 30 April 2019 - 11:30
Para ndeshjes me Barçën, Xherdan Shaqiri merr lajmin e vitit

Roberto Firmino i mungoi Liverpoolit në fitoren 5:0 kundër Huddersfieldit të premten e kaluar, ndërkaq mbetet të shihet nëse ai do të jetë i gatshëm për ndeshjen e nesërme kundër Barcelonës.

Duke folur pas ndeshjes në “Anfield”, trajneri Jurgen Klopp shpjegoi se Firmino ka stërvitur mirë para ndeshjes me Huddersfieldin, por që nuk dihet nëse do të luajë në “Camp Nou”.

Klopp e ka përshkruar lëndimin e Firminos jo-serioz, dhe kështu nuk e ka përjashtuar rikthimin e tij në fushë për ndeshjen kundër Barcelonës në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve. 

Mungesa eventuale e brazilianit do të ishte një goditje e madhe për Liverpoolin pasi ai ka shënuar 16 gola dhe ka dhuruar shtatë asistime këtë edicion.

Por, Liverpooli ka katër opsione për formacionin startues në rast të mungesës së ish-futbollistit të Hoffenheimit për këtë ndeshje.

Njëra prej këtyre formacioneve është edhe përfshirja e mesfushorit nga Kosova, Xherdan Shaqiri nga minuta e parë në këtë ndeshje.

Me sistemin 4-2-3-1, Klopp mund të luajë në sulm me Xherdan Shaqirin, Sadio Mane dhe Mohamed Salah, kurse Naby Keita do ta kryente rolin e fantazistit.

Në këtë rol, Shaqiri ka kontribuar mjaft shumë këtë edicion te Liverpooli, si dhe ka qenë hero i skuadrës në fitoren 3:1 në derbin ndaj Manchester Unitedit në “Anfield”. 

Në ndeshjen e fundit ndaj Huddersfield, 27-vjeçari me prejardhje nga Zhegra e Gjilanit luajti 20 minuta për t’i mahnitur tifozët me paraqitjen e tij.

Megjithatë, mbetet të shihet nëse Klopp do të inkuadrojë Shaqirin nga minuta e parë, pasi edhe gjasat janë të mëdha që Firmino të rikuperohet plotësisht nga lëndimi.

(Kosova Sot)