De Jong e do tripleten me Ajax-in para Barçes

  • 30 April 2019 - 18:27
De Jong e do tripleten me Ajax-in para Barçes

Tottenhami ishte “dhurata” më e mirë që mund të merrnin në një garë ku mund të ishin ndeshur edhe me Barcelonën dhe Liverpoolin. Por nuk e shikon kështu Frenki De Jong gjysmëfinalen kundër “Spërsave”, në të cilën shumëkush i sheh në letër favoritë pikërisht holandezët. Mesfushori i ardhshëm i Barcelonës e hedh topin nga pjesa tjetër e fushës dhe thotë në prag të 90 minutave të para të rrugës drejt “Vanda Metropolitano”: “Nuk mendoj se jemi ne favoritët. Totenhemi luan në Premier Ligë dhe po bën një sezon shumë të mirë. Edhe në letër, nuk mendoj se ne jemi shumë më mirë se ata, por nuk jemi as më keq”.

Ajaksi mund të fitojë tripletën këtë sezon, ku në Eredivisie kryeson dhe është gjithashtu edhe në finalen e Kupës së Holandës: “Nuk kemi ardhur rastësisht në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve. Në kampionat jemi në krye dhe jemi gjithashtu një ndeshje larg fitimit të Kupës. Nuk e di nëse do t’i fitojmë të tria trofetë, por është sigurisht e mundur”.

21-vjeçari, i cili do të luajë në “Camp Nou” prej verës, e ka identifikuar pasardhësin e tij tek Ajaksi: “Shpresoj që të jetë Eiting. Do të doja dhe do shpresoja. Mendoj se Karel e ka treguar se është shumë i zoti për të luajtur tek Ajaksi. Mendoj se është një lojtar me shumë potencial. Ai bëri gjithashtu shumë mirë në fillim të këtij sezoni në ndeshjet që luajti, kështu që mendoj se mund ta përballojë me lehtësi”.

(Kosova Sot)