Finale e merituar

  • 01 May 2019 - 07:47
Finale e merituar

Prishtina dhe Rahoveci do t’i matin forcat për titullin e kampionit

Prishtina-Rahoveci është finalja e madhe e basketbollit kosovar. Të dy skuadrat siguruan finalen pasi në gjysmëfinale mposhtën Bashkimin, përkatësisht Yllin, 3:0. Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi thotë se dy skuadrat e merituan finalen dhe shpreson se do të dhurojnë ndeshje të bukura. Kampion shpallet skuadra që arrin tri fitore

Prishtina ka vazhduar me rekorde duke mos pësuar asnjë humbje në garat vendore. Z Mobile Prishtina ashtu siç është pritur është kualifikuar në finalen e madhe, ku do të pret Rahovecin, që eliminoi Golden Eagle Ylli pas vetëm tre ndeshjeve. ‘Vreshtarët’ shënuan dy fitore në Suharekë e më pas në shtëpi, për t’u kualifikuar në finalen e madhe. Kujtojmë se në çerekfinale kishte mundur Ponte Prizrenin 2:1, edhe pse humbën përballjen e parë në shtëpi, madje tifozët akuzuan edhe basketbollistët e tyre se ‘kanë bërë tolerime’ ndaj Prizrenit.

Rahoveci në pjesën e rregullt të garave ishte renditur në vendin e tretë me 18 fitore dhe dhjetë humbje. Finalja e “play-off”-it zhvillohet sipas formatit vajtje-ardhje. Përparësinë e terrenit vendës e ka ekipi që ka qenë më mirë i renditur në edicionin e rregullt dhe luan si vendës në ndeshjet 1 dhe 3 dhe ndeshjen eventuale 5. Kampion shpallet skuadra që arrin tri fitore.

Prishtina, favorite absolute

Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi, është shprehur se, bardhekaltrit e kanë merituar fitoren. “Finalet ndërmjet Prishtinës dhe Rahovecit do të dhurojnë ndeshje të bukura. Z Mobile Prishtina ka qenë favorite absolute dhe këtë e ka dëshmuar edhe në ndeshjet ndaj Bashkimit, ku arriti tre fitore të njëpasnjëshme dhe u kualifikua në finalen e madhe për të fituar titullin e kampionit. Befasi ka qenë Rahoveci që ka eliminuar Golden Eagle Ylli, dhe po ashtu u kualifikua në finale, duke fituar në tri ndeshjet e zhvilluara.

‘Vreshtarët’ me plot meritë janë kualifikuar në finalen e madhe të “Play-off”-it”, ka thënë Blerim Krasniqi për gazetën “Kosova Sot”. Që nga fillimi i stinorit, kryeqytetasit ishin favoritë, duke marrë parasysh fondin e lojtarëve që kanë dhe synimi i tyre ishte suksesi në garat ndërkombëtare. Në 28 ndeshje në garat e rregullta në Superligë, bardhekaltrit nuk pësuan asnjë humbje, derisa shënuan tri fitore në garat e Kupës për të triumfuan në fund dhe tri fitore në gjysmëfinale të “Play-off”-it ndaj Bashkimit.

Rahoveci i befasoi të gjithë

Befasi mund të konsiderohet Rahoveci që eliminoi Yllin me vetëm tre ndeshje, edhe pse ‘Vreshtarët’ kanë bërë një organizim të madh në vitin e fundit. Krasniqi shpreson se takimet finale do të dhurojnë spektakël dhe më i miri të fitojë në fund. “Prishtina është me meritë në finale, duke marrë parasysh se gjatë stinorit të rregullt nuk ka pësuar asnjë humbje, dhe kështu ka vazhduar edhe në garat shtesë, duke mos harruar se ka fituar edhe Kupën e Kosovës në basketboll pa humbur asnjë ndeshje. Bardhekaltrit kanë arritur rekord, duke i fituar të gjitha ndeshjet në këtë edicion në garat vendore.

Mendoj se edhe Rahoveci është me meritë në finale, sepse ka bërë një punë të madhe, madje, edhe duke rregulluar palestrën e re. Ata kanë bërë një punë të madhe në organizimin e brendshëm të klubit, por edhe me infrastrukturë. Shpresoj se finalet do ta arsyetojnë epitetin dhe më i miri të fitojë titullin e kampionit”, ka thënë tutje Blerim Krasniqi për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)