Rakitic: Barcelona e ndjek Messin

  • 01 May 2019 - 08:46
Rakitic: Barcelona e ndjek Messin

Mesfushori Ivan Rakitic beson se bashkëlojtari i tij, Lionel Messi, është futbollisti më i mirë në histori dhe do ta drejtojë skuadrën e Barcelonës në përballjen me Liverpoolin, në kuadër të gjysmëfinaleve të Ligës së Kampionëve.

Sulmuesi argjentinas, Lionel Messi, e ka fituar titullin e dhjetë të La Ligës këtë sezon me Barcelonën. Por, vëmendja e tij tani është kthyer në Ligën e Kampionëve, për përballjen kundër Liverpoolit të Jurgen Kloppit.

Messi ka qenë katër herë kampion i Ligës së Kampionëve dhe është pikërisht 31-vjeçari personi që e përbën shqetësimin kryesor për skuadrën e Kloppit, për ndeshjen e së mërkurës në “Camp Nou”.

Pritje të tilla sjellin edhe më shumë presion mbi shpatullat e Messit, mirëpo Rakitici insiston se bashkëlojtarët e tij do të presin nga Messi që ta bëjë diferencën sonte.

“Kurdo që kapiteni ynë thotë diçka, ne jemi aty për ta ndjekur atë. Kemi presion të shtuar për ta fituar titullin e Ligës së Kampionëve. Barcelona ka luajtur aq mirë gjatë viteve të fundit saqë kjo gjë tani na shton presion”, ka thënë Rakitic.

“Leo ka qenë kampion i La Ligës dhjetë herë në 15 vjet dhe ta shikosh atë duke e ngritur lart trofeun me aq lumturi na bënë edhe neve më të lidhur. Nëse ai gëzohet aq shumë duke fituar çdo herë, kjo gjë na motivon neve edhe më shumë”.

“E dimë që jemi Barcelona dhe kemi edhe më shumë vetëbesim kur e ndjekim lojtarin më të mirë në histori. Messi tashmë i ka fituar katër tituj të Ligës së Kampionëve, ai nuk do të jetë i stresuar. Ju duhet ta kuptoni që Messi është para nesh dhe ne e ndjekim atë”. 

(Kosova Sot)