Pochettino e pranon se i përdori taktikat e gabuara kundër Ajaxit

  • 01 May 2019 - 12:27
Pochettino e pranon se i përdori taktikat e gabuara kundër Ajaxit

Mauricio Pochettino e nisi ndeshjen me formacionin 5-3-2, mirëpo Ajaxi arriti të gjente hapësira në mesfushë.

Trajneri i Tottenhamit e ka pranuar se ai i përdori taktikat e gabuara në disfatën e mbrëmshme 1:0 kundër Ajaxit, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të këtij sezoni të Ligës së Kampionëve.

Përkundër që ishin vendas, Tottenhami nuk arriti t’i rezistojë të rinjve të talentuar të Ajaxit, të cilët e dominuan plotësisht ndeshjen gjatë 30 minutave të parë. Në këtë kohë, kur Ajaxi e shënoi golin e fitores, Pochettino e kishte organizuar skuadrën e tij në formacion 3-5-2.

Ajaxi po arrinte të gjente hapësira në mesfushë dhe në këtë mënyrë e gjetën edhe golin e fitores, kur Donny van de Beek e mposhti portierin Hugo Lloris në minutën e 15-të të ndeshjes.

“Kur e shikoj tani, e pranoj se formacioni që e përdora ishte i gabuar. Por, nuk kisha shumë opsione. Nuk jam i lumtur, ti nuk mund ta parashikosh çfarë do të ndodhte nëse do të kishim luajtur në ndonjë mënyrë tjetër”, ka thënë Pochettino.

“Por, na mungonte energjia dhe bënin gabime të vogla. Nuk ishte formacioni që e pranoi golin. Qasja jonë ndaj kësaj ndeshjeje nuk ishte e duhura. Unë jam trajneri, kështu që unë jam përgjegjës”.

Kur Jan Vertonghen e pësoi një lëndim në kokë, trajneri i Tottenhamit u detyrua ta ndryshojë formacionin në 4-4-2 dhe klubi londinez filloi të dukej më i gjallë në fushë pas këtij ndryshimi, duke krijuar më shumë raste të mira. 

(Kosova Sot)