Shotani parashikon “termet” në futbollin tonë

  • 01 May 2019 - 15:22
Shotani parashikon “termet” në futbollin tonë

Jemi në prag të përfundimit të kampionatit dhe duket se karrigia e disa trajnerëve po lëkundet shumë. Rezultatet e dobëta, mbetja jashtë objektivave dhe ngecja në ngritje të cilësisë po bën të mendohet se shumë klube do të ndryshojnë bankinë. Gjë kjo që sipas trajnerit vushtrrias Bekim Shotani është mese normale.

“Mendoj që është reale nga ana e klubeve që ndajnë rrugët me trajnerë që nuk arrin objektivin në fund të kampionatit, por assesi nuk pajtohem që kjo duhet të ndodhë pak para fundit të kampionatit pasi është jo profesionale”, ka thënë për gazetën “Kosova Sot”, trajneri vushtrrias Bekim Shotani i cili ka parashikuar shumë shkarkime të trajnerëve pas përfundimit të kampionatit.

“Tri ekipe janë në luftë për titull vetëm një bëhet kampion dhe mund të pritet që në dy skuadrat tjera të priten shkarkime, shkarkime pres edhe te skuadrat që kanë investuar shumë por janë jashtë objektivave”, ka thënë Shotani sipas të cilit shkarkimeve mund t’ju shpëtojnë vetëm ato skuadra që arrijnë kupën, titullin dhe mbijetesën që e kanë pasur si objektiv”, ka thënë Shotani.

Këtë vit kemi pasur shumë trajnerë që kanë ardhur nga jashtë dhe duhet pranuar që nuk treguan pothuaj asgjë. Derisa disa analistë vlerësojnë se investimet në ta ishin të dështuara, kështu nuk mendon Shotani. “Sa i pëket trajnerët të ardhur them se gjithçka është në rregull dhe mendoj që duhet klubet të angazhojnë edhe trajnerë tjerë nga vendet si Turqia, Mali i Zi pse jo edhe nga ndonjë vend i njohur evropian.

Konkurrenca sjell vetëm dobi”, tha për gazetën “Kosova Sot”, Bekim Shotani sipas të cilit vlera e trajnerëve vendorë do të rritet vetëm atëherë kur ne do kemi oferta nga jashtë vendit si Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia apo edhe Turqia. “Duhet ta kuptojmë një realitet që trajnerin e mban në punë vetëm rezultati pozitiv, kupa, titulli e jo fjalët”, ka përfunduar Shotani.

(Kosova Sot)