Rangersi nuk e do më Grezdën

  • 01 May 2019 - 15:31
Rangersi nuk e do më Grezdën

Eros Grezda nuk ka arritur asnjëherë të tregojë veten te skuadra e Rangers. Shqiptari më shumë ka qëndruar i dëmtuar gjatë sezonit të tij të parë në ishull dhe në momentin që ka luajtur ka bërë shumë pak. Trajneri Steven Gerrard i besoi në momentin që e mori nga Osijeku dhe e solli në "Ibrox", por tani i ka treguar derën.

Rangersi ka menduar të përfshijë Grezdën në një marrëveshje shkëmbimi me Osijekun. Trajneri anglez pëlqen Mirko Maricin. Sulmuesi i ish-klubit të shqiptarit ka shënuar 15 gola këtë sezon dhe vlera e tij në treg llogaritet 3 milion euro. Skocezët duan të përfshijnë Grezdën në këtë marrëveshje duke ia ofruar kartonin e tij skuadrës kroate.

Këta të fundit e njohin shumë mirë potencialin e futbollistit shqiptar, duke qenë se ka luajtur një sezon dhe ka shënuar 5 gola për fanellën e tyre. Nëse do të finalizohej kjo marrëveshje, Rangers do të merrte sulmuesin 23-vjeçar, Osijeku do të fitonte Grezdën dhe para, ndërsa shqiptari mund të ringjallej. Mediet skoceze e mbyllin dhe me një fjali poshtëruese ndaj lojtarit të kombëtares tonë: "Nëse një marrëveshje e tillë realizohet, atëherë mund të jetë gjëja më e mirë që Grezda ka bërë për Rangersin".

(Kosova Sot)