Momenti kur Van Dijku, i frikësuar nga Messi, kërkon ndihmë nga të tjerët

  • 02 May 2019 - 08:26
Momenti kur Van Dijku, i frikësuar nga Messi, kërkon ndihmë nga të tjerët

Barcelona e fitoi me rezultat 3:0 ndeshjen e mbrëmshme kundër Liverpoolit. Njëri ndër momentet më të komentuara në rrjetet sociale është një video ku qendërmbrojtësi Virgil van Dijk kërkon ndihmë nga lojtarët e tjerë të Liverpoolit për t’u mbrojtur kundër Lionel Messit.

Beteja mes Virgil van Dijkut dhe Lionel Messit kishte qenë tema më e diskutuar sa i përket përballjes mes Barcelonës dhe Liverpoolit në kuadër të gjysmëfinaleve të këtij sezoni të Ligës së Kampionëve

Në njërën anë ishte Virgil van Dijku, i cili është zgjedhur lojtari më i mirë për këtë sezon në Premierligë dhe konsiderohet nga shumë persona si mbrojtësi më i mirë në botë për momentin.

Në anën tjetër ishte Lionel Messi, i cili ka qenë i pandalshëm këtë sezon, me 48 gola dhe 22 asiste në 46 ndeshje të zhvilluara. Shumë persona e konsiderojnë atë futbollistin më të mirë të të gjitha kohëve.

Van Dijku e kishte bërë të qartë para ndeshjes se ai e respekton pesë-herë fituesin e Topit të Artë, mirëpo kishte besim për sfidën që e kishte skuadra e tij para vetes.

“Mendoj se ai është lojtari më i mirë në botë. Por, ju mund ta shihni si luajmë dhe si mbrohemi ne. Ne nuk mbrohemi një kundër një. Ne mbrohemi të gjithë së bashku dhe sulmojmë të gjithë së bashku. Do të jemi gati”, kishte thënë Van Dijku.

Kjo taktikë, për t’u mbrojtur të gjithë së bashku, ishte e vërejtshme edhe në ndeshjen e mbrëmshme, veçanërisht në momentin kur Van Dijku u detyrua ta ndjekë argjentinasin në një kundërsulm.

Mbrojtësi holandez, i cili kishte kaluar në pozitën e mbrojtësit të krahut të majtë, u kërkoi ndihmë bashkëlojtarëve të tij për t’u mbrojtur kundër Liverpoolit.

Ende asnjë futbollist nuk ka arritur ta driblojë Van Dijku këtë sezon, as në Premierligë e as në Ligën e Kampionëve. Kërkimi i ndihmës për t’u mbrojtur kundër Messit ishte një mënyrë për ta mbrojtur këtë statistikë.

(Kosova Sot)