Mourinho: Unë s’e kisha mbështetjen që e kanë Guardiola e Kloppi

  • 02 May 2019 - 08:47
Mourinho: Unë s’e kisha mbështetjen që e kanë Guardiola e Kloppi

Jose Mourinho beson se atij nuk i ishte dhënë mbështetja e nevojshme për t’u treguar i suksesshëm me Manchester Unitedit, duke e krahasuar veten me situatën në të cilën janë Pep Guardiola në Manchester City dhe Jurgen Kloppi në Liverpool.

Gjatë periudhës dy-vjeçare e gjysmë të Jose Mourinhos me Manchester Unitedin, portugezi i fitoi dy tituj, atë të Carabao Cup dhe atë të Europa League. Që të dyja këto suksese, ai i arriti në sezonin e tij të parë si trajner i “Djajve të kuq”.

Megjithatë, periudha e tij me klubin anglez mori fund pas disfatës me rezultat 3:1 kundër Liverpoolit në dhjetor të vitit të kaluar. “Djajtë e kuq” i kishin marrë disa rezultate të dobëta radhazi dhe për këtë arsye Ole Gunnar Solskjaer u emërua në pozitën e tij.

Edhe Mourinho edhe Guardiola arritën te dy klubet e Mançesterit në sezonin 2016/17. Tifozët prisnin që mes tyre të ringjallej rivaliteti që kishte ekzistuar në La Liga, kur ata ishin trajnerë në Real Madrid dhe Barcelonë.

Megjithatë, Manchester Unitedi mbeti nën hijen e rivalit të qytetit, që arriti t’i grumbullojë 100 pikë nga 38 ndeshjet e zhvilluara në sezonin e kaluar të Premierligës, apo 19 më shumë sesa skuadra e Mourinhos, që radhitej në pozitën e dytë.

Që nga atëherë, Kloppi dhe Liverpooli janë shndërruar në kërcënimin kryesor për Guardiolën dhe Manchester Cityn. Që të dy këto skuadra kanë arritur ta kalojnë shifrën prej 90 pikëve të grumbulluara këtë sezon, me dy ndeshje të mbetura deri në fund.

Mourinhos i ishte lejuar që të transferonte lojtarë mjaft të shtrenjtë kur u emërua trajner i Manchester Unitedit. Ai e transferoi Paul Pogbën, që e theu rekordin për lojtarin më të shtrenjtë në botë, si dhe e bindi Alexis Sanchezi ta zgjedhë Unitedin para Cityt, duke i ofruar më shumë para.

Megjithatë, përkundër kësaj, ish-trajneri i Chelseat beson se ai nuk ka marrë mbështetje financiare si ajo që Kloppi e ka në Liverpool dhe Guardiola e ka në Manchester City.

“Do të më pëlqente të shkoja në një klub dhe të isha në gjende të bëja atë që Jurgeni dhe Pepi e kanë bërë. Nëse e shikoni skuadrën e Liverpoolit që ishte titullarë për këtë ndeshje, sa prej tyre ishin aty kur erdhi Kloppi? Dy apo tre”, ka thënë Mourinho për BeIN Sports.

“Dhe kur Pepi nuk ishte i lumtur me mbrojtësit anësorë që i kishte në skuadër në sezoni 2016/17, verën tjetër ai i bleu katër mbrojtës anësorë që i pëlqyen. Kur e bleu portierin Claudio Bravo dhe nuk ishte i kënaqur me të, sezonin tjetër e bleu tjetrin, Edersonin”.

“Kur Jurgeni është në klub dhe nuk fiton asgjë për tre vjet e gjysmë dhe ai ende e ka besimin dhe ende i ka kushtet për të vazhduar. Ndoshta këtë sezon ata e kanë mundësinë për ta bërë këtë gjë – hera e parë që e fitojnë një trofe”.

“Në punën time të radhës, unë nuk do të filloj negociata pa e ditur saktësisht atë që klubi e do dhe atë që klubi është i gatshëm të më ofrojë, sa i përket strukturës dhe objektivave të klubit”.

(Kosova Sot)