UEFA: Gjyqtarët nuk ia rrezikuan jetën Vertonghenit

  • 02 May 2019 - 10:04
UEFA: Gjyqtarët nuk ia rrezikuan jetën Vertonghenit

Organi qeverisës i futbollit evropian, UEFA, i ka dal në mbrojtje gjyqtarëve të ndeshjes Tottenham – Ajax, pasi që këta të fundit u kritikuan për mënyrën se si e trajtuan Jan Vertonghenin për lëndimin e kokës.

UEFA ka bërë të ditur se është e kënaqur me procedurën që e ndoqën gjyqtarët e ndeshjes, pasi Jan Vertogheni e pësoi një lëndim në kokë gjatë ndeshjes mes Tottenhamit dhe Ajaxit

Mbrojtësi i Tottenhamit, Vertonghen, mbeti i gjakosur pas një dueli ajror me bashkëlojtarin e tij, Toby Alderëeireld, dhe portierin e Ajaxit, Andre Onana, gjatë ndeshjes të së martës në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, të cilin klubi holandez e fitoi me rezultat 1:0.

Vertonghen mori trajtim të gjatë nga stafi mjekësor dhe pastaj tentoi ta vazhdonte lojën pasi që mjekët i kishin thënë që ishte në gjendje të mirë. Por, ai u detyrua të largohet nga fusha vetëm disa momente më vonë. Ai nuk mund të mbahej në këmbë e madje edhe volli.

Incidenti i së martës e nxiti edhe një herë debatin për mënyrën se si trajtohet lojtarët pas lëndimeve të kokës, pasi që këtë sezon incidente të ngjashme u ndodhën edhe Fabian Scharit, David Ospinas dhe Anthony Lopesit.

Megjithatë, UEFA beson se gjyqtari i ndeshjes dhe stafi mjekësor e morën vendimin e duhur duke e lejuar belgun të kthehet në fushë, duke thënë se vendimi përfundimtar duhej të ishte marrë nga Tottenhami.

“Bazuar në raportet e gjyqtarëve të UEFA-s për atë ndeshje, procedura e rregullt u respektua gjatë ndeshjes, pasi që gjyqtari e ndali ndeshjen menjëherë pas incidentit”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga UEFA.

“Mjeku nuk ishte në asnjë pikë nën presion të kohës nga gjyqtari dhe atij iu ofrua koha e nevojshme për ta dhënë vlerësimin. Ndalja e lojës ishte më e gjatë sesa 3 minutat e përmendura në procedurën e rregullt”.

“Në pajtim me procedurën e rregullt, para se ta lejonte lojtarin të kthehet në fushë, gjyqtari shkoi te mjeku i skuadrës, i cili e informoi gjyqtarin se lojtari është në gjendje të mirë për ta vazhduar lojën”. 

(Kosova Sot)