Van Dijk, pas disfatës kundër Barcelonës: Mund të jemi krenarë me veten

  • 02 May 2019 - 10:15
Van Dijk, pas disfatës kundër Barcelonës: Mund të jemi krenarë me veten

Qendërmbrojtësi Virgil van Dijk ka insistuar që Liverpooli nuk është i shqetësuar se mund ta përfundojnë sezonin pa asnjë trofe, pas disfatës së thellë në ndeshjen e mbrëmshme kundër Barcelonës.

Skuadra e Jurgen Kloppit pësoi disfatë 3:0 mbrëmë në Camp Nou kundër Barcelonës, në kuadër të gjysmëfinaleve të Ligës së Kampionëve dhe tani i janë ulur gjasat që ta zë  një vend në finale

Liverpooli e ka shijuar një sezon të mirë deri më tani. Ata janë një pikë prapa Manchester Cityt në garën për titullin e Premierligës, me dy ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit. Nëse skuadra e Pep Guardiola nuk gabon në këto dy ndeshje, atëherë Liverpooli do ta humbë edhe atë trofe.

Megjithatë, ylli i mbrojtjes së Liverpoolit, Van Dijk, ka thënë se Liverpooli nuk është duke e shqyrtuar ende mundësinë e përfundimit të sezonit pa asnjë trofe të fituar.

“Ne nuk do të mendojmë për këtë gjë. Jemi duke e pasur një sezon të mirë dhe do të tentojmë të fitojmë diçka. Nëse nuk ndodh një gjë e tillë, atëherë do të vazhdojmë të punojmë”, ka thënë Van Dijk pas disfatës kundër Barcelonës.

“Ne mund të jemi krenarë me veten, po luajmë kundër njërit ndër klubet më të mirë në botë dhe, natyrisht, edhe në ligë po luajmë kundër një tjetër skuadre që është ndër më të mirat në botë”.

“Ne ende jemi në të dy garat dhe mendoj se shumë, shumë skuadra do të donin të ishin në pozitën tonë. Gjithçka është e mundur në futboll. Pa asnjë dyshim, ne ende besojmë. Kështu jemi ne”.

“Nuk do të dorëzohemi kurrë dhe sot e dëshmuan se mund të krijojmë raste të mëdha kundër tyre. Gjëja e vetme është që duhet të tentojmë të shënojmë”.

Liverpoolit do t’i duhet të bëjë shumë për ta përmbysur rezultatit kundër Barcelonës në ndeshjen kthyese, e cila do të zhvillohet të martën në “Anfield”. Në anën tjetër, edhe gjasat e tyre për ta fituar titullin e Premierligës po shuhen dalëngadalë.

Pas përballjes të së shtunës kundër Newcastleit, Liverpooli do ta mbyllë sezonin e Premierligës më 12 maj, kur do të ndeshet me Wolves. Në anën tjetër, Manchester City do të përballet me Leicester Cityn dhe Brightonin në dy ndeshjet e fundit të sezonit. 

(Kosova Sot)