Liverpooli ka vetëm 4 për qind mundësi ta fitojë titullin e Championsit

  • 02 May 2019 - 10:58
Liverpooli ka vetëm 4 për qind mundësi ta fitojë titullin e Championsit

Gjasat që Liverpooli ta fitojë titullin e Ligës së Kampionëve këtë sezon u zvogëluan dukshëm pas disfatës së mbrëmshme me rezultat 3:0 kundër Barcelonës, në ndeshjen gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Liverpooli pati një paraqitje të mirë mbrëmë në stadiumin “Camp Nou”, mirëpo puna e tyre u zhbë nga superparaqitja e Lionel Messit, që i shënoi dy gola në pjesën e dytë të ndeshjes.

Ajaxi do ta marrë me vetë epërsinë e fitores me rezultat 1:0 në ndeshjen kthyese kundër Tottenhamit, që do ta zhvillojë në shtëpi. Ndërsa, Liverpooli do presë për Barcelonën për ndeshjen kthyese me një sfidë shumë të madhe para vetes.

Sipas statistikave të publikuara nga FiveThirtyEight.com , Barcelona është favoritë për t’u shpallur kampione e këtij sezoni të Ligës së Kampionëve, me 94% mundësi për të arritur deri në finale dhe 64% mundësi për ta fituar trofeun.

Ajaxi është vlerësuar se ka 24 për qind mundësi ta fitojë titullin e këtij sezoni, ndërsa Tottenhami radhitet prapa me 8 për qind. Liverpooli besohet se ka vetëm 6 për qind mundësi ta eliminojë Barcelonën në gjysmëfinale dhe 4 për qind mundësi për ta fituar titullin e kampionit të Evropës.

Cilado skuadër që kualifikohet nga gjysmëfinalja mes Barcelonës dhe Liverpoolit do të jetë favorite për ta fituar ndeshjen finale në stadiumin e Atletico Madridit, Wanda Metropolitano, më 1 qershor.

Megjithatë, Liverpooli fillimisht duhet ta përmbysë rezultatin në ndeshjen kthyese kundër Barcelonës, e cila do të zhvillohet të martën në orën 21:00, në stadiumin “Anfield”.

Edhe gjasat e Liverpoolit për ta fituar titullin e Premierligës këtë sezon po zvogëlohen dalëngadalë, pasi që Manchester City është favorit tani që kanë mbetur vetëm dy ndeshje deri në fund të sezonit dhe është një pikë para Liverpoolit në tabelë.

(Kosova Sot Online)