Shënoi pas 1 viti, Suarez i dëshpëruar mes festës : Dënova familjen time

  • 02 May 2019 - 13:08
Shënoi pas 1 viti, Suarez i dëshpëruar mes festës : Dënova familjen time

Luis Suarez u rikthye të shënonte në Ligën e Kampioneve, por fati donte që të godiste ish skuadrën e tij, të kuqtë me të cilët ka mbetur ende shumë i lidhur. Sulmuesi uruguaian ishte ai që hapi siparin e golave kundër Liverpulit, në ndeshjen e vlefshme për gjysmëfinalet e vajtjes së Ligës së Kampionëve.

 

“El Pistolero” kaloi portierin Alison Beker me një devijim të lehtë, pas një pasimi të zgjuar të Hordi Albës. Pastaj një festim i çmendur. Arsyeja? Sepse kishte një vit që nuk shënonte në Ligën e Kampionëve. Goli i fundit ka qenë në 4 prillin e vitit 2018 kundër Romës. Si për çudi, portieri është i njëjti. Sulmuesi uruguaian do të jetë një lojtar i rëndësishëm në këtë moment vendimtar të sezonit. Festimi i tij nuk ishte mungesë respekti ndaj ish-skuadrës së tij, por një entuziazëm për faktin që i dha fund makthit.

Iu deshën 36 goditje në këtë edicion të Champions-it për të gjetur golin. Kundër Mançesterit iu afrua, por UEFA e konsideroi autogol të Shout. Me këtë gol në “Camp Nou”, Luis Suarez e çoi në 25 numrin e tyre në total, 21 në La Liga dhe 3 në Kupën e Mbretit, por sigurisht që për shumë anglezë, jo vetëm goli, por edhe festimi nuk i la një shije të mirë. Në fund të takimit, bomberi amerikanolatin kaloi përpara zonës së gazetarëve, por nuk kishte se çfarë të thoshte, sepse ai e di mirë se me golin e tij dhe dy të Lionel Mesit ka nxjerrë me më shumë se një këmbë jashtë Champions-it “familjen” e tij. Pikërisht kështu, sepse i ftuar edhe nga drejtuesit e Barcelonës që t’i lejonte medias për intervistë, Luis Suarez ia preu shkurt:

“Kam ndëshkuar familjen time, nuk kam çfarë të them. Kam shumë respekt për Liverpulin dhe për tifozët e mi, ndaj nuk kam ndonjë gjë për të shtuar, prandaj më kuptoni”, sqaroi numri 9 i Barcelonës dhe u largua me kokën ulur.

(Kosova Sot Online)