Pse dështoi Drita, ja arsyet e Liridon Lecit?

  • 02 May 2019 - 16:48
Pse dështoi Drita, ja arsyet e Liridon Lecit?

Drita ka zhgënjyer jo vetëm tifozët e vetë por pothuaj gjithë adhuruesit e futbollit këtë vit. Nga një skuadër që ishte pritur të fitojë gjithçka ajo humbi gjithçka madje duke dal shumë herët nga objektivat si në luftë për titull ashtu edhe për Kupën e Kosovës. Njëri nga futbollistët më me përvojë në futbollin tonë, Liridon Leci në një bisedë për “Kosova Sot Online”, ka thënë se janë disa arsye pse erdhi kjo situatë.

“Arsyet janë disa por unë mendoj që më kryesorja është starti jo i mirë d.m.th fillimi i kampionatit ka qenë jo i mirë për ne për disa arsye. Fillimisht kemi luajtur në Champions League dhe Eurpaleague dhe mund të them që kemi filluar kampionatin pak edhe të lodhur sepse nuk kemi pushuar farë”, tha Leci i cili e pranon se edhe nënçmimi ka ekzistuar.

“Mbase i kemi nënvlerësuar pak ekipet në fillim. Pastaj ndërrimi i trajnerit, filozofia me trajnerin e ri. Arritëm të fitojmë 5-6 ndeshje radhazi por ekipet kundërshtare nuk bënin gabime dhe ishte e vështirë që të kapnim prapë hapin për titull”, ka vlerësuar futbollisti prishtinas i skuadrës gjilanase i cili e pranon se ky vit ka qenë dështim për ta dhe lojtarët e kanë përjetuar keq.

Image

“Normalisht ishte një dëshpërim për të gjithë kjo si për futbollistët që e kemi përjetuar jo mirë, por çka të bëjmë kështu e ka futbolli nga njëherë. Mendoj se pavarësisht që kemi rënë herët nga objektivat atmosfera në klub ka qenë e mirë, sepse është trajneri Ardian Nuhiu ai që vazhdimisht na ka mbajtur të karikuar për vazhdimin e kampionatit edhe pse po them edhe njëherë është e vështirë kur të biesh nga objektivat të gjesh motivin e duhur për të vazhduar”, nënvizoi mbrojtësi i Dritës së Gjilanit, duke folur për të ardhmen e skuadrës.

Image

“Unë besoj dhe jam shumë i sigurt që Drita do të jetë pretendentja numër 1 për titullin kampion sezonin e ri sepse ka në ekip futbollistë shumë cilësorë dhe shumë me kualitet. Pastaj është një kryesi që na rrinë shumë mbrapa dhe vazhdimisht na mbështet. Pastaj Drita ka një tifozëri të shkëlqyeshme që kjo tifozëri meriton respektin më të madhe dhe normalisht edhe kryesia do të mundohet që t’ju sjellë tituj prapë, sepse vërtet e meritojnë.

Mos të harrojmë që viti që lamë pas ka qenë një vit mjaft i suksesshëm për klubin dhe në përgjithësi për qytetin e Gjilanit duke e ditur se jemi shpallur kampion, kemi fituar Superkupen e Kosovës, kemi kaluar një rreth në Champios League ku jemi eliminuar nga një kundërshtar i fort siç ishte Malmo dhe pastaj kemi vazhduar në Europaleague ku me pak fat do të kishin kaluar edhe aty mëtutje por nuk kishim fat më shumë”, ka përfunduar Liridon Leci.

(Kosova Sot Online)