“Messi është stimul i mirë për Ronaldon”

  • 02 May 2019 - 18:22
“Messi është stimul i mirë për Ronaldon”

Cristiano Ronaldo do të inspirohet për të përfunduar sezonin në Serie A si top-golashënues pasi ka parë formën e jashtëzakonshme të rivalit Lionel Messi së fundmi, thotë trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri.

10-shi magjik i Barçës shënoi dy herë të mërkurën mbrëma në fitoren 3-0 ndaj Liverpoolit në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, duke arritur shifrën e 600 golave për klubin.

Ronaldo e arriti i pari këtë shifër magjike pas golit në fundjavë ndaj Interit, e që ishte goli i 27-të në sezon pas largimit nga Reali vitin e shkuar.

Ai e ndjek Messin që ka shënuar 21 gola më shumë, ndërsa është edhe tre gola prapa Fabio Quagliarellas në garën për “Këpucën e Artë” në Serie A.

Pra, synimi CR7 është gara për “Këpucën e Artë” në Serie A, sepse atë në Evropë është rrugës për ta fituar Lionel Messi që prin me 34 gola.

Megjithatë, Allegri e konfirmon se për Ronaldon është e mjaftueshme ajo në Serie A dhe ky do të jetë objektivi i 34-vjeçarit.

Ai beson se paraqitja mbresëlënëse e Messit në Champions League, do ta motivojë portugezin për të arritur objektivin.

“Messi është stimul i mirë për Ronaldon”, ka thënë Allegri para ndeshjes me Torinon të premten.

“Kemi një derbi dhe Messi arriti 600 gola dje. Ai (Ronaldo) do të ndizet më shumë për të ecur lart në listën e golashënuesve dhe synon të përfundojë sezonin si top-golashënues në Serie A”.

Deri më tani këtë sezon, Messi ka shënuar 48 gola në 46 paraqitje me Barcelonën, kurse Ronaldo 27 gola në 40 paraqitje për Juventusin.

 

(Kosova Sot Online)