Asamoah paralajmëron Italinë dhe Evropën

  • 02 May 2019 - 19:27
Asamoah paralajmëron Italinë dhe Evropën

 

Kwadwo Asamoah, mbrojtësi i krahut i Inter-it, ka folur për "Sky Sport" në lidhje me sezonin e tij dhe ndeshjet e ardhshme të Inter-it: "Udinese? Është gjithmonë e vështirë kur luan kundër ish-ekipit. Ata janë në vështirësi në këtë moment dhe do të kërkojnë të ragojnë, ne duhet të luajmë me zgjuarsi që në minutat e para".

VITI I PARË TEK INTER-i - "Jam i kënaqur me atë që kam bërë këtë vit, ndoshta mund të kisha bërë diçka më shumë, por në këtë moment kemi një objektiv të madh për të arritur, mungojnë akoma edhe katër ndeshje. Më mungojnë golat, për momentin jap më shumë asiste, sepse duhet ta ndihmoj skuadrën kryesisht në mbrojtje".

POZICIONI - "Trajneri e di se unë jap më shumë në mesfushë, atij i pëlqen kur ne e nisim aksionin nga mbrapa. Shpresoj të shënoj deri në fundin e sezonit, ka kohë që e pres këtë moment. Gjithsesi, për rolin që kam duhet të mendoj më shumë për mbrojtjen, nëse më pas vjen edhe goli do të ishte akoma më mirë".

CHAMPIONS - "Në këtë moment kemi një objektiv të madh për të arritur, mungojnë edhe katër ndeshje nga fundit dhe nuk do të jetë e lehtë. Kemi të gjitha cilësitë dhe lojtarët e duhur për të arritur objektivin. Këtë vit kemi gabuar me ekipet e mesme dhe të vogla".

"Duhet të jemi agresivë në çdo ndeshje, jo vetëm me të mëdhatë. Nëse përmirësohemi në këtë aspekt, do të bëhemi një ekip i rëndësishëm në Itali dhe Europë".

(Kosova Sot Online)