Arsenal një hap afër finales, pas fitores së thellë ndaj Valencia-s

  • 02 May 2019 - 22:58
Arsenal një hap afër finales, pas fitores së thellë ndaj Valencia-s

Arsenal ka fituar 3-1 me përmbysje gjysmëfinalen e parë të Europa League kundër Valencia-s, të luajtur në "Emirates Stadium".

Kanë qenë miqtë që kanë kaluar në avantazh në minutën e 11-të falë një goditje me kokë të Diakhaby. Bëhet fjalë për një realizim të rrallë, duke parë se Arsenal nuk pësonte gol prej 460 minutash në ndeshjet e Europa League të luajtura në shtëpi në këtë sezon (që nga ndeshja e fazës me grupe kundër Vorskla Poltava).

Gjithsesi, festa e miqve nuk ka zgjatur shumë, sepse Lacazette ka përmbysur rezultatin në tetë minuta. Sulmuesi i "Topçinjve" ka barazuar në minutën e 18-të, duke finalizuar në mënyrën e duhur një kundërsulm të shpejtë, dhe ka shënuar të dytin në të 26-ën me një goditje me kokë pas asistit të saktë të Granit Xhakës.

Image

Francezi është bërë lojtari i tretë i "Topçinjve" që shënon dy gola në një gjysmëfinale europiane pas Charlie George (Kupa e Panaireve 1970) dhe Steve Bould (Kupa e Kupave 1995).

Në minutën e 91-të, Aubameyang ka realizuar edhe golin e tretë të takimit, duke i dhënë një avantazh të rëndësishëm skuadrës së Unai Emery për ndeshjen e kthimit, ku do të vendoset edhe se kush do të shkojë në finale.

(Kosova Sot Online)