Tri vjet të Kosovës në UEFA

  • 03 May 2019 - 09:41
Tri vjet të Kosovës në UEFA

Sot bëhen tri vjet që kur Kosova u pranua nga Kongresi i UEFA-s në Budapest si anëtare e pavarur. Që nga atëherë, Kosova tani ka të drejtën të luajë të gjitha garat ndërkombëtare, si dhe klubet e Kosovës mund të marrin pjesë në garat elitare të futbollit në Evropë.

Më 3 maj të vitit 2016, Kongresi i UEFA-s në Budapest votoi me shumicë të vogël pro pranimit të Kosovës si anëtare e pavarur. Kosova u bë anëtarja e 55-të e shtëpisë së futbollit të Evropës.

Fadil Vokrri kishte qenë kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës në atë kohë, dhe menjëherë pas votimit ishte shprehur shumë i emocionuar nga kjo arritje.

“Jam shumë i prekur. Ju falënderoj para së gjithash në emër të lojtarëve të rinj të vendit tim për këtë vendim. Kjo është një ditë historike për ne”, kishte thënë Vokrri, pasi 28 anëtare të UEFA-s votuan pro, 24 kundër, ndërsa dy vota kishin qenë të pavlefshme.

Ashtu siç pritej, Tomislav Karadzic, shef i Federatës Serbe të Futbollit u pozicionua kundër pranimit të Kosovës në UEFA.

“Kufijtë e vendit nuk lejohet të ndryshojnë. Një republikë e vetëshpallur nuk duhet të marrë leje që të bëhet anëtare e UEFA-s”, kishte thënë Karadzic.

Zvicra, ndonëse në mënyrë më të moderuar se Serbia, u rreshtua kundër anëtarësimit. Përfaqësuesi i saj vuri theksin tek e ardhmja e futbollistëve të kombëtares së vet dhe statusit të tyre nëse Kosova do të anëtarësohet.

Pas suksesit në UEFA, FFK-ja u bë anëtare e FIFA-s javën e ardhshme, në  Kongresin e mbajtur në Meksikë.

Që nga atëherë, Kosova e ka shkruar njërën prej historive më të bukura në botën e futbollit të kombëtareve, duke arritur t’i mahnitë shumë tifozë me paraqitjet në Ligën e Kombeve.

Edhe pse kanë kaluar vetëm tri vjet që kur u bë anëtare e UEFA-s, “Dardanët” mund ta sigurojnë këtë vit një vend në Kampionit Evropian 2020. Këtë gjë mund ta bëjnë përmes dy rrugëve.

1. Pozicionimi në dy vendet e para në Grupin A të kualifikimeve për EURO 2020

2. Triumfi në play-offs për kualifikim në EURO 2020, ku e siguroi një vend në gjysmëfinale përmes triumfit në Grupin 3 të Ligës D në Ligën e Kombeve

Edhe klubet kosovare kanë përfituar nga ky anëtarësim i Kosovës në UEFA, pasi që tani klubet me renditjen më të mirë në Superligën e Kosovës kanë të drejtë të luajnë për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve dhe në Evropa Ligë.

(Kosova Sot Online )