Milner i hakmerret Messit, katër vjet pasi ia futi topin nën këmbë

  • 03 May 2019 - 10:53
Milner i hakmerret Messit, katër vjet pasi ia futi topin nën këmbë

Katër vjet pasi Lionel Messi ia kishte futur topin nën këmbë, James Milner u hakmor me një ndërhyrje ndaj argjentinasit, gjatë ndeshjes gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, që u zhvillua të mërkurën në Camp Nou.

Barcelona fitoi me rezultat 3:0 në përballjen me Liverpoolit. Këtë epërsi që e dërgon më afër finales së Ligës së Kampionëve, katalonasit e morën përmes golit të Luis Suarezit dhe dy golave të Lionel Messit.

Kjo përballje e ka ngjallur kureshtjen në mesin e tifozëve të futbollit dhe shumë detaje nga 90 minutat e lojës janë komentuar. Njëra ndër to është edhe ndërhyrja që Milneri ia bëri Messit.

Në vitin 2015, gjatë ndeshjes së Ligës së Kampionëve mes Barcelonës dhe Manchester Cityt në Camp Nou, Messi e poshtëroi Milnerin duke ia futur atij topin nën këmbë. Milneri nuk ishte as i pari e as i fundit që e përjetoi këtë gjë nga argjentinasi, mirëpo BT Sports sugjeroi se anglezi s’e kishte harruar atë moment.

Mundësinë për t’u hakmarrë për atë që kishte ndodhur para katër vjetëve, Milner e pati të mërkurën. Ai ishte titullar në mesfushë, përkrah Fabinhos dhe Naby Keitas.

Kur Messit iu bë një ndërhyrje nga Andy Robertsoni dhe topi doli jashtë fushës, Milneri shkoi fuqishëm në drejt të argjentinasit, duke e rrëzuar atë në fushë pas përplasjes.

Milneri nuk u ndëshkua me karton për këtë ndërhyrje, pasi i tha gjyqtarit të ndeshjes se nuk e kishte bërë qëllimisht. Megjithatë, i fundit qeshi Messi, i cili i shënoi dy gola për ta vendosur Barcelonën me një këmbë në finale.

(Kosova Sot Online)