Mourinho i thumbon legjendat e Man Unitedit

  • 03 May 2019 - 11:08
Mourinho i thumbon legjendat e Man Unitedit

Ish-trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, i ka thumbuar dy legjendat e “Djajve të kuq”, Paul Scholes dhe Gary Neville, pas dështimeve të tyre në karrierën e shkurtë si trajnerë. Portugezi tha se duhet të jesh i lindur me talent për të pasur sukses.

Ish-mbrojtësi Gary Neville dhe ish-mesfushori Paul Scholes kishin qenë dy ndër personat më të zëshëm sa i përket kritikave në drejtim të Jose Mourinho, gjatë kohës sa portugezi ishte trajner i Manchester Unitedit, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, që të dy këta ish-futbollistë të “Djajve të kuq” e kuptuan se sa e vështirë është të jesh në pozitën e trajnerit, kur Neville dështoi në Valencia dhe Scholes zgjati vetëm disa javë në karrigen e trajnerit të Oldhamit, klubi në Ligën e Dytë, nivelin e tretë të futbollit në Angli.

Mourinho është shprehur i kënaqur që disa ish-futbollistë të caktuar po e kuptojnë se sa e vështirë është puna e trajnerit.

“Ne kemi, edhe në Angli, ish-futbollistë të mirë që janë të mrekullueshëm para ekranit televiziv. Ata shkojnë në klube të futbollit dhe pas dy muajve…. “mirupafshim, le të shkojmë në shtëpi sepse kjo nuk është gjëja e dukur”. Kështu që janë disa gjëra që… ose i di, ose nuk i di”,  ka thënë Mourinho.

“Është një pjesë e menaxhimit që shumë njerëz e harrojnë nganjëherë, madje edhe analistët më të mirë e harrojnë. Kjo është arsyeja pse duhet të jesh i lindur me talent. Ka të bëjë me kuptimin dhe njohurinë e natyrshme të një loje të futbollit”.

“Është tjetër të jesh para ekranit, ta analizosh një ndeshje e të thuash: “Do ta zëvendësoj këtë lojtar me këtë”. Vendime të tilla kur je në karrigen e trajnerit… a mund ta kesh të njëjtën mendësi dhe qetësi? A mund të jesh mjaftueshëm i guximshëm për t’u përballur me presionin”.

(Kosova Sot Online)