Manchester United i jep 15 milionë euro Sanchezit për t’u larguar!

  • 03 May 2019 - 17:16
Manchester United i jep 15 milionë euro Sanchezit për t’u larguar!

Vetëm 2 gola në 26 paraqitje në sezonin 2018/19, Sanchez e ka humbur vendin te “Djajtë e Kuq” dhe sipas “Daily Mail”, ai tashmë duhet ta planifikojë të ardhmen larg Manchester Unitedit.

U transferua te Manchester United me shumë bujë në një shkëmbim me Henrik Mkhitaryan në janar të 2018-ës, por në një sezon e gjysmë me “Djajtë e Kuq”, Alexis Sanchez s’ka treguar pothuajse asgjë.

Ai është kthyer në një fantazmë të futbollistit që ishte te Arsenali dhe Barcelona.

Forma e dobët e kilianit, por edhe dëmtimet e shpeshta kanë bërë që drejtuesit e Manchester United të mendojnë largimin e tij, pasi paga që Alexis fiton në “Old Trafford” është vërtet e lart, plot 26 milionë sterlina në sezon.

Sipas asaj që raporton prestigjiozja britanike “Daily Mail”, Manchester United i ka ofruar sulmuesit amerikano-jugor zgjidhjen me konsensus të kontratës që i skadon pas 3 vitesh, duke i vendosur në pjatë 15 milionë euro vetëm e vetëm që Sanchez të gjejë një skuadër të re në afatin kalimtar të verës.

Pra, për ta larguar nga “Old Trafford”, drejtuesit e “Djajve të Kuq” jo vetëm që janë të gatshëm të lënë të lirë Alexisin me parametra zero, por edhe të derdhin një shifër të majme në llogari të tij.

Mbetet për t’u parë se cila do të jetë përgjigjja e Sanchezit, i cili kërkohet nga shumë klube në Europë, por asnjë klub nuk është i gatshëm t’i japë atij pagën e çmendur që merr te United.

Raportohej në të kaluarën për një interesim të PSG-së, teksa edhe Interi po mendon për 30-vjeçarin, edhe pse paga mund të jetë problem që ishi i Barcelonës ta veshë fanellën e zikaltërve. 

Ai ka bërë 19 paraqitje në Premierligë këtë edicion, duke shënuar vetëm një gol. Në sezonin 2018/19 në të gjitha garat, është paraqitur 26 herë dhe ka shënuar vetëm 2 gola.

Në total me Unitedin ai numëron 44 paraqitje dhe vetëm 5 gola, shifra aspak normale për një futbollist që në të kaluarën e ka kaluar shifrën e 20 apo edhe të 30 golave në një sezon të vetëm.

Sezoni më i mirë në karrierë është ai me Arsenalin më 2016/17 ku kishte shënuar 24 gola në 38 paraqitje në Premierligë, 30 në të gjitha garat.

(Kosova Sot Online)