“Guardiola në Juventus? Nuk do të largohet nga Man City”

  • 03 May 2019 - 19:13
“Guardiola në Juventus? Nuk do të largohet nga Man City”

Shefi ekzekutiv i Manchester City ka konfirmuar se trajneri spanjoll do të jetë pjesë e “citizens” edhe sezonin e ardhshëm.

Pas zërave se Pep Guardiola mund të transferohet te Juventusi, ka ardhur sot reagimi i klubit të Manchester City.  

Përmes një mesazhi, shefi ekzekutiv i Manchester City, Ferran Soriano, ka konfirmuar se trajneri spanjoll do të jetë pjesë e “citizens” edhe sezonin e ardhshëm.

“Nuk do të ndodhë kurrë që Pep Guardiola të largohet nga Manchester City. Ai është një njeri fantastik dhe trajner i madh dhe po bën gjëra të jashtëzakonshme këtu. Më vjen keq që përflitet se do të lëvizë, janë zëra të pabaza. Ai ka një kontratë me ne dhe ne jemi shumë të kënaqur me të”, tha Ferran Soriano.

Ai ka shtuar se dështimi në Champions League nuk do të largojë trajnerin.

“Champions? Na mungoi fati edhe pse ishim shumë pranë kualifikimit. Pa VAR do të ishim në gjysmëfinale. Do të provojmë sërish vitin tjetër dhe do ta fitojmë”, shtoi ai.

Manchester City është afër që të triumfojë sërish në Premierligë.

Skuadra e “citizens”  ka 1 pikë më shumë se Liverpooli, ndërkohë që kanë mbetur edhe dy javë kampionat.

City këtë edicion ka triumfuar në “Carabao Cup”, ndërsa është edhe në finale të FA Cup.

(Kosova Sot)