Valverde beson se Xavi mund të ketë sukses si trajner në Barcelonë

  • 04 May 2019 - 09:34
Valverde beson se Xavi mund të ketë sukses si trajner në Barcelonë

Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, nuk ka asnjë dyshim se Xavi Hernandez ka potencialin për t’ia zënë vendin në “Camp Nou”, në të ardhmen.

Xavi konfirmoi të enjten se do të tërhiqet nga futbolli i luajtur në fund të sezonit dhe do t’i përkushtohet punës si trajner.

Ai e la Barçën në fund të sezonit 2014/2015 për t’u bashkuar skuadrës së Al Sadd në Katar.

Mesfushori 39-vjeçar është një nga lojtarët më të titulluar në historinë e futbollit.

Ai fitoi afër 30 trofe gjatë qëndrimit 17-vjeçar me Barcelonën, duke përfshirë tetë tituj të La Ligas dhe katër UEFA Champions League.

Valverde, i cili duket se do ta udhëheqë klubin katalanas drejt tripletës në sezonin e tij të dytë në “Camp Nou”, pati fjalë të mëdha për Xavi, ky i fundit asnjëherë nuk e ka fshehur dëshirën që një ditë të ulet në stolin e Barcelonës si trajner.

“Ai është një nga mesfushorët më të mirë të viteve të fundit, asnjë pasim që dha nuk ishte i parëndësishëm”, tha Valverde.

“Xavi është një nga lojtarët më të mirë në historinë e futbollit. Ishte e mahnitshme ta shikoje atë të luante. Unë mendoj se të gjithë presin që Xavi të jetë trajner. Ai ka profilin që të drejtojë Barcelonën, apo kudo që të jetë. I uroj fat, natyrisht”.

(Kosova Sot Online )