Xhaka: Nuk ka rëndësi e kaluara e Emeryt

  • 04 May 2019 - 16:39
Xhaka: Nuk ka rëndësi e kaluara e Emeryt

Granit Xhaka beson se e kaluara e Unai Emeryt në Ligën e Evropës nuk do të luajë ndonjë rol javën e ardhshme, kur Arsenali do të udhëtojë në Valencia për ndeshjen e dytë gjysmëfinale në këtë garë. Unai Emery e kishte fituar titullin e Ligës së Evropës për tri sezone radhazi gjatë kohës sa ishte trajner i Sevillas. Arsenali e fitoi ndeshjen e parë gjysmëfinale me rezultat 3:1 dhe për këtë arsye ai është në rrugë të drejtë për ta fituar titullin e katërt të kësaj gare.

Kjo do të ishte një arritje mbresëlënëse, veçanërisht në sezonin e tij të parë me klubin londinez, mirëpo Xhaka nuk beson se arritjet e trajnerit në të kaluarën do të ndikojnë te forma dhe rezultatet e Arsenalit.

“Nëse e ke një trajner të tillë, mund të përfitosh nga përvoja e tij. Mirëpo, e kaluara është e kaluar dhe unë nuk mendoj që ka rëndësi. Ne folëm para ndeshjes për përvojën e tij, por në fund u detyruam ta tregojmë veten në fushë”, ka thënë Xhaka.

“Ishte mirë që fituam 3:1, donim të mos pranonim fare gol, por nuk e filluam ndeshjen mirë. E treguam personalitetin e madh të skuadrës edhe një herë tjetër, duke e përmbysur rezultatin dhe duke fituar kundër një ekipi të madh”.

“Ne nuk e patëm përvojën më të mirë vitin e kaluar në gjysmëfinale. Luajtëm shumë mirë këtu kundër Atleticos, por nuk fituam. Ndeshjet si mysafir kundër klubeve të tilla janë të vështira, por 3:1 është një rezultat i mirë”.

Arsenalit i duhet ta sigurojë një vend në top katërshe të Premierligës apo ta fitojë titullin e Ligës së Evropës për t’u kualifikuar në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve. Rezultatet e fundit në ligën angleze ia kanë ulur shpresat Arsenalit për ta zënë një vend kualifikues për Champions.

“Nëse i shikoni rezultatet e xhirove të fundit në Premierligë, natyrisht që nuk jemi të lumtur. Por, ne ende kemi mundësi. Gjithçka është në duart tona, ajo që është në duart tona është Liga e Evropës. Dëshirojmë ta përfundojmë sezonin me kthim në Ligën e Kampionëve”, shtoi Xhaka.

(Kosova Sot Online)