Bayerni një hap më afër titullit të Bundesligës

  • 04 May 2019 - 17:31
Bayerni një hap më afër titullit të Bundesligës

Bayern Munichu i është afruar edhe më shumë titullit të Bundesligës, pas fitores me rezultat 3:1 në ndeshjen kundër Hannover 96, që u zhvillua sot në stadiumin “Allianz Arena”.

Fitorja në ndeshjen e sotshme, në xhiron e 32-të të Bundesligës, bënë që Bayerni t’i ikë Dortmundit për pesë pikë. Dortmundi do ta zhvillojë ndeshjen e kësaj xhiro sot në orën 18:30, kundër Werder Bremenit të Milot Rashicës.

Bayern Munichu fillimisht e gjeti golin e epërsisë në minutën e 27-të të ndeshjes, përmes Robert Lewandowski. Pjesa e parë përfundoi me rezultat 2:0, pasi që në minutën e 40-të, Leon Goretzka e dyfishoi epërsinë e Bayernit me një gol spektakolar.

Pjesa e dytë nuk nisi mirë për Bayernin, pasi që Hannoveri u fut përsëri në lojë, me golin e shënuar nga Jonathas në minutën e 51-të, nga pika e penalltisë. Megjithatë, Jonathas u shndërrua shumë shpejt nga hero në të keqin e historisë, pasi që u ndëshkua me karton të kuq.

Epërsia e një lojtari më shumë ia mundësinë Bayernit që ta thellojë rezultatin në këtë ndeshje. Këtë gjë e bëri Franck Ribery në minutën e 84-të të ndeshjes.

Dy minuta pas këtij goli erdhi një tjetër moment gëzimi për tifozët e Bayernit, pasi që Arjen Robben u kthye në fushën e lojës pas një kohe të gjatë.

(Kosova Sot Online)