Presidenti i çmendur i Serisë A bën tregti skuadrash

  • 04 May 2019 - 17:58
Presidenti i çmendur i Serisë A bën tregti skuadrash

Massimi Ferrero, presidenti i Sampdoria, është pranë shitjes së skuadrës gjenoveze. Ofertat për të marrë skuadrën e Sampdoria nuk mungojnë, madje mësohet se janë 3 kandidatë: Një amerikan, një britanik dhe një arab. Problem mbetet shuma që pretendentët ofrojnë më pak se 100 milionë euro. Ndërkohë që, Ferrero kërkon 120 milionë euro.

Gjithsesi, deri në fund të këtij sezoni ky ngërç mund të mbyllet lehtësisht, por Ferrero nuk ka ndërmend të largohet nga bota e sportit dhe nga Seria A. Presidenti i “çmendur” i Serisë A, siç njihet Massimo Ferrero, ka vendosur të jetë pjesë e tij edhe nëse shet skuadrën e Sampdoria. Sipas “Il Secolo XIX”, prodhuesi i filmave kinematografikë synon që të blejë skuadrën e Fiorentinës.

Skuadra vjollcë aktualisht zotërohet nga vëllezërit Dalla Valle, por në të ardhmen ata mund të heqin dorë. Natyrisht që skuadra e Fiorentinës kushton shumë më tepër se sa Sampdoria, rreth 200 milionë euro. Presidenti Ferrero ka qenë ditët e fundit në Firence, për të nisur bisedimet me klubin e Fiorentinës, ku synon të nisë një tjetër aventurë në rast se shet Sampdoria-n.

(Kosova Sot Online)