Xhaka shumë i brengosur me formën e mjerueshme të Arsenalit në udhëtim

  • 05 May 2019 - 10:06
Xhaka shumë i brengosur me formën e mjerueshme të Arsenalit në udhëtim

Granit Xhaka është i tërbuar me formën e mjerueshme të Arsenalit kur luan si mysafir, për të cilën druhet se mund t’ia dështojë sezonin njëlloj siç ia kishte dështuar vitin e kaluar.

Kosovari përfaqësues i Zvicrës e pranoi faktin se paraqitjet dhe rezultatet e Arsenalit në ndeshjet si mysafir kanë qenë arsyeja përse “Topçinjtë” nuk janë në top katërshe. Klubi londinez i ka fituar vetëm gjashtë nga 18 ndeshjet në udhëtim këtë vit, dhe tani varet nga rrëshqitjet e ekipeve të tjera për t’ia dalë të mbyllë sezonin në top katërshe.

Vitin e kaluar, Arsenali i fitoi vetëm katër nga 19 ndeshje në udhëtim dhe e mbylli sezonin me 12 pikë më pak se vendi i katërt në Premierligë.

Tani, Xhaka kërkon që skuadra e Unai Emery ta shfaqë formën që e ka treguar në shtëpi edhe në ndeshjet në udhëtim.

“Është tepër frustruese. Forma jonë në shtëpi është shumë e mirë. Sikur t’i fitonim tri ndeshjet e fundit në ligë (humbjet ndaj Crystal Palace në shtëpi dhe ndaj Wolves dhe Leicester City në udhëtim) do të ishim në top katërshe”, tha Xhaka.

“I njëjti problem na e dështoi sezonin vitin e kaluar. Vetëm shpresoj se këtë vit nuk do të na e dështojë”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)