Bale zemërohet pasi Zidane e la jashtë skuadrës së Real Madridit

  • 05 May 2019 - 13:16
Bale zemërohet pasi Zidane e la jashtë skuadrës së Real Madridit

Gareth Bale është tronditur dhe është zemëruar kur e ka kuptuar se trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, e kishte lënë jashtë skuadrës për ndeshjen e sotme kundër Villarrealit në La Liga. Me Karim Benzeman që është i lënduar, injorimi që trajneri francez ia ka bërë uellsianit ka qenë edhe më i pabesueshëm, prandaj Bale është i zemëruar dhe i zhgënjyer që nuk do ta ketë mundësinë të luajë.

“Ai është shumë i pikëlluar për këtë”, sipas burimeve të gazetës së përditshme spanjolle “Marca”. Kjo është edhe një dëshmi tjetër që e ardhmja e Bale është shumë e paqartë.

Nuk është fshehtësi që Zidane dhe drejtuesit e Madridit nuk e duan më uellsianin. Bale dhe përfaqësuesit e tij thonë se nuk e kuptojnë këtë trajtim nga klubi.

Pasi ka shënuar në finale të Ligës së Kampionëve dhe ndeshje të tjera të rëndësishme, Bale beson se meriton të trajtohet më mirë. Ai u fishkëllye nga tifozët e vet në ndeshjen e kaluar kundër Athletic Club në Bernabeu.

Ai ka dashur të luante kundër Villarrealit në mënyrë që t’i bënte tifozët ta duartrokasin e jo fishkëllejnë, por ai nuk do ta ketë këtë mundësi sot.

(Kosova Sot Online)