Trofetë e shumtë ekiporë dhe individualë që Messi mund t’i fitojë këtë vit

  • 06 May 2019 - 09:41
Trofetë e shumtë ekiporë dhe individualë që Messi mund t’i fitojë këtë vit

Viti 2019 mund të jetë më i shquari në karrierën e jashtëzakonshme të yllit të Barcelonës, Lionel Messit. Argjentinasi mund t’i rrëmbejë pothuajse të gjithë trofetë individualë dhe po ashtu shumë trofe ekipor brenda këtij viti.

Messi tashmë e ka fituar trofeun e parë për këtë vit, La Ligën, para një jave dhe është në garë për të gjithë trofetë e tjerë të mundshëm me klubin.

Barça është në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe zotëron një epërsi prej 3:0 nga ndeshja e parë ndaj Liverpoolit në Camp Nou, me Messin që e bëri të ndjehet prania e tij duke shënuar dy gola, përfshirë një të mrekullueshëm nga goditja e lirë. Katalonasit do ta vizitojnë gjigantin anglez në Anfield ta martën për ndeshjen e kthimit.

Kampioni i La Ligës do të përballet me Valencian në finale të Kupës së Mbretit më 25 maj.

Po ashtu, Barça më pas do të luajë edhe në finale të Super Kupës së Spanjës.

Nëse skuadra e Ernesto Valverdes e fiton Ligën e Kampionëve, atëherë do të luajë në finale të Super Kupës së Evropës dhe të Kupës së Botës për Klube.

Përveç trofeve ekiporë, ikona argjentinase mund t’i fitojë edhe shumë trofe individualë.

Pesë herë fitues i Topit të Artë kryeson në garë për golashënuesin më të mirë në Ligën e Kampionëve me 12 gola, gjashtë me shumë se përcjellësi i parë, Dusan Tadic i Ajaxit.

Messi, po ashtu, prin edhe në garë për golashënuesin më të mirë në Spanjë dhe në Evropë.

Ai i ka shënuar 34 gola në La Liga deri tani këtë sezon.

Magjiku argjentinas e ka fituar pesë herë Këpucën e Artë, rekord që e ndan me Cristiano Ronaldon, dhe prin edhe këtë sezon, katër gola më shumë se Kylian Mbappe i PSG-së.

Përveç çmimeve të golashënuesit më të mirë, Messi është favorit i fortë edhe për t’i fituar çmimet kryesore të UEFA-s dhe FIFA-s: Lojtari i Vitit i UEFA-s dhe Më i Miri i FIFA-s.

Dhe përfundimisht, çmimi më i madh që ai mund ta fitojë është Topi i Artë, që do të ishte i gjashti për të, e që do ta kalonte rivalin e përjetshëm, Cristiano Ronaldon, i cili i ka pesë sosh. 

(Kosova Sot Online)