E thotë Klopp: Sezoni i Liverpoolit do të jetë i suksesshëm edhe pa trofe

  • 06 May 2019 - 09:55
E thotë Klopp: Sezoni i Liverpoolit do të jetë i suksesshëm edhe pa trofe

Jurgen Klopp këmbëngul se sezoni i Liverpoolit ka qenë shumë i suksesshëm, pavarësisht se a fiton trofe apo jo në fund të një fushate të jashtëzakonshme.

Kampioni i Premierligës do të vendoset në ditën e fundit të sezonit, edhe pse Manchester City do të zgjohet të dielën me një pikë epërsi ndaj Liverpoolit nëse e mposht sonte Leicester Cityn në ndeshjen e parafundit të sezonit.

Skuadra e Jurgen Kloppit tashmë e ka arritur shifrën e 94 pikëve, të cilat mund të mos mjaftojnë për t’ia fituar titullin e parë që prej vitit 1990. Mundësitë e të kuqve për ta arritur finalen e Ligës së Kampionëve janë shumë të vogla po ashtu, pasi e humben 3:0 ndeshjen e parë gjysmëfinale kundër Barcelonës në Camp Nou.

Megjithatë, sipas trajnerit gjerman, skuadra e tij ka pasur një sezon të suksesshëm, edhe nëse e mbyll pa asnjë trofe.

“Shumë përkrahës të klubeve të tjera do të jenë të lumtur nëse ne dështojmë. Ata ende janë prapa neve në tabelë, përveç Manchester City. Gjithçka është në rregull, vërtet”, tha Klopp.

“Çfarëdo që ndodh, do të jetë një sezon shumë, shumë i suksesshëm dhe jam i sigurt se të gjithë përkrahësit tanë mendojnë kështu”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online)