Suarez tregon pse festoi kundër Liverpoolit në “Camp Nou”, s’do ta bëjë në “Anfield”

  • 06 maj 2019 - 19:01
Suarez tregon pse festoi kundër Liverpoolit në “Camp Nou”, s’do ta bëjë në “Anfield”

Suarez s’do të festojë nëse shënon në “Anfield”, ashtu siç bëri ditë më parë në “Camp Nou”.

Sulmuesi i Barcelonës, Luis Suarez, është paraqitur në konferencë për media para sfidës me Liverpoolin që do të zhvillohet të martën mbrëma në “Anfield”.

Suarez, i cili festoi golin kundër ish-ekipit që e shënoi në fitoren 3-0 në gjysmëfinalen e parë, thotë se s’do ta bëjë të njëjtën gjë edhe në “Anfield”.

Ai tha se festoi për shkak të rëndësisë që ka një gol në gjysmëfinale, por do të heshtë në stadiumin ku shënoi 82 gola në 133 paraqitje për Liverpoolin dhe përjetoi net magjike.

“Kam shumë respekt për gjithçka që më ka dhuruar Liverpooli, i jam shumë mirënjohës, kam shumë respekt për klubin dhe tifozët, por njerëzit që e përcjellin futbollin, e duan futbollin, jetojnë për futbollin – e dinë çfarë rëndësie ka të shënosh në gjysmëfinale”, tha Suarez, kur u pyet përse festoi në “Camp Nou”.

“A do të festosh nëse shënon në Anfield? Nëse shënoj në këtë stadium, nuk do të festoj, kam shumë respekt për klubin dhe tifozët”, shtoi ai.

Suarez foli edhe për ndeshjen, duke paralajmëruar Barcelonën pavarësisht rezultatit në favor, 3-0.

“Ndeshjen e kaluar bëmë një ndër paraqitjet më të mira të sezonit, nesër duhet të bëjmë edhe më mirë se ditën tjetër. Nuk mund të shpërqendrohemi, sepse në atë moment mund të ndëshkohemi. Duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe të bëjmë lojën tonë”. 

(Kosova Sot)