Mourinho sqaron se si e mposhti Barcelonën me Interin

  • 07 May 2019 - 08:38
Mourinho sqaron se si e mposhti Barcelonën me Interin

Jose Mourinho i ka sqaruar në detaje taktikat që ai i përdori për përballjen mes Interit dhe Barcelonës në Ligën e Kampionëve, në vitin 2010.

Interi, i drejtuar nga Jose Mourinho, u përball me Barcelonën në gjysmëfinale të sezonit 2009/10 të Ligës së Kampionëve. Ndeshja e parë u zhvillua në San Siro dhe skuadra e portugezit e arriti një rezultat mbresëlënës.

Zikaltrit arritën ta fitojnë atë përballje me katalonasit me rezultat 3:1, falë golave të shënuara nga Maicon, Wesley Sneijder dhe Diego Milito. Se si e arriti këtë sukses, Mourinho ka treguar në një video për “The Coaches’ Voice” (Zëri i Trajnerëve).

Mourinho i organizoi lojtarët e tij në formë të diamantit në mesfushë për t’ia limituar hapësirën Barcelonës. Mesfushorët e tij qendrorë ishin vazhdimisht në komunikim me mbrojtësin e krahut të majtë, në mënyrë që ta ndalin Lionel Messin. Ai e mbajti Messin të heshtur duke e “burgosur” atë mes lojtarëve.

Trajneri portugez i lavdëroi Thiago Mottan dhe Esteban Cambiasson, duke thënë se ata kishin qenë mentalisht shumë të fortë gjatë asaj ndeshjeje.

Pastaj, Mourinho tregoi edhe si arriti skuadra e tij ta ndëshkojë Barcelonën, gabimet e së cilëve i shfrytëzonte. Interi përfitonte nga mbrojtësit anësorë të Barcelonës, të cilët preferojnë të sulmojnë shumë.

Mourinho bëri të ditur se ai e kishte identifikuar Maxwellin si pikën e dobët të Barcelonës. Ai e dinte se braziliani nuk ishte mjaftueshëm i mirë në fazën defanzive dhe Maiconi arriti të përfitojë nga kjo gjë.

I shpejti Eto’o ishte gjithashtu po aq i rëndësishëm për fazën e sulmit, bashkë me Pandevin dhe Sneijderin. Këta dy të fundit përfshihet në aksionet e sulmit, duke ardhur nga faza e mbrojtjes. Mourinho beson se Barcelona nuk arriti të përballej me këtë taktikë.

Në fund, Interi e arriti finalen e atij sezonit të Ligës së Kampionëve, pasi që fitoi me rezultat të përgjithshëm 3:2 kundër Barcelonës. Në finale, zikaltrit e mposhtën Bayern Munichun dhe u bënë kampionë të Evropës. 

(Kosova Sot Online)