Historia e ish-lojtarit të cilit i kishte ndihmuar Messi

  • 07 May 2019 - 10:10
Historia e ish-lojtarit të cilit i kishte ndihmuar Messi

Fabian Vargas e ka kujtuar një moment të rëndësishëm në karrierën e tij si futbollist, ku përfshihej edhe ylli argjentinas i Barcelonës, Lionel Messi.

Ish-futbollisti i Vonca Juniors dhe America, Fabian Vargas, kishte luajtur për Almerian në vitin 2010, kur pësoi disfatë 8:0 kundër Barcelonës në La Liga.

Megjithatë, mesfushori 39-vjeçar ia kishte bërë një kërkesë Lionel Messit para ndeshjes.

“Para se të fillonte ndeshja, disa shokë më kishin telefonuar për të ma kërkuar fanellën, në mënyrë që ta dërgonin atë në ankand për të mbledhur para për viktimat në vendin tim, që kishin pësuar nga vërshimet e atij viti”, ka thënë Vargas për El Pais.

“Unë e shfrytëzova faktin që do të luaja kundër Barcelonës dhe shkova ta kërkojë Lionel Messin para ndeshjes. Unë ia tregova atij situatën time dhe ia kërkova fanellën e tij”.

Natyrisht, ai mbeti shumë i zhgënjyer pas disfatës së thellë me rezultat 8:0. Në fakt, ish-futbollisti kolumbian kishte harruar plotësisht që ia kishte kërkuar fanellën argjentinasit.

“Unë u largova nga fusha aq i zemëruar saqë harrova plotësisht se ia kisha kërkuar fanellën Messit”, kujtoi ai.

Megjithatë Lionel Messi nuk kishte harruar. Përderisa Vargasi ishte në zhveshtore, një nga punëtorët e Almerias i ishte afruar atij dhe i kishte thënë se po e kërkonte dikush.

“Unë dola jashtë dhe ai ishte aty me një qese të vogël. E mbaj mend se më tha: “Shiko, këto janë fanellat që arrita t’i grumbulloj për ty”. Unë e falënderova dhe e përqafova duke menduar se bëhej fjalë vetëm për fanellën e tij, që ia kisha kërkuar”, shtoi Vargas.

“Kur u ktheva në zhveshtore dhe e hapa qesen, e pashë se aty nuk ishte vetëm fanella e Messit. Aty ishin edhe fanellat e Xavit, Andres Iniestas, Dani Alvesit, Gerard Piques dhe Carles Puyolit. Nuk do ta harroj kurrë atë veprim”. 

(Kosova Sot Online)