Kosova e Shqipëria e duan talentin e Salzburgut

  • 07 May 2019 - 11:24
Kosova e Shqipëria e duan talentin e Salzburgut

Albert Vallci do të vendos në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, derisa të dyja ekipet kombëtare ia kanë vënë syrin talentit shqiptar të Red Bull Salzburgut

Kosova dhe Shqipëria po bëjnë garë për një talent shqiptar.

Në fakt, Albert Vallci është bërë objektiv i të dyja ekipeve kombëtare, ndërsa në fund do ta marrë vetë vendimin se për cilin ekip dëshiron të luajë.

“Kosova dhe Shqipëria më kanë kërkuar”, ka konfirmuar fituesi i Kupës dhe kampioni i Austrisë me Red Bull Salzburgun në programin e Sky Sport Austria, “Die Abstauber”.

“Teorikisht, do të luaj për njërën nga këto dy ekipe kombëtare”, vazhdoi ai.

Madje, ai ka zbuluar se përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes është duke e vëzhguar.

“Ishte tashmë në Austri në një ndeshje tonën dhe më ka shikuar”, shton 23 vjeçari.

Në të njëjtën kohë, futbollisti i ka shprehur brengat e tij për faktin se nuk e flet gjuhën shqipe.

“Për mua, është e vështirë ta marr një vendim të shpejtë. Për momentin dua të koncentrohem vetëm tek Red Bulli, deri në fund të sezonit e më pas të shohim”, ka përfunduar ai.

Vallci luan në pozitën e qendërmbrojtësit, por ka luajtur edhe si mbrojtës i krahut të majtë.

Ai ka kontratë me Salzburgun deri në vitin 2022, ndërsa ishte transferuar tek gjiganti austriak nga FC Wacker Innsbruck në janar të këtij viti.

(Kosova Sot Online)