Trajneri nga Shqipëria: Gabova që shkova te kampionia e Kosovës

  • 07 May 2019 - 13:53
Trajneri nga Shqipëria: Gabova që shkova te kampionia e Kosovës

Trajneri nga Shqipëria, Shpëtim Duro, ka bërë të ditur se është penduar që e kishte pranuar ofertën për ta marrë pozitën e trajnerit te Drita, pasi që beson se situata në klub nuk ishte aspak e përshtatshme.

Shpëtim Duro kishte ardhur në Superligën e Kosovës me pritshmëri të larta si një trajner jashtëzakonisht i mirë, mirëpo ai nuk arriti ta dëshmojë këtë gjë gjatë kohës sa e drejtoi Dritën

Duro, i cili ishte i ftuar në emisionin “Kampionët” në “Vizion Plus” e diskutoi arsyen e dështimit të tij me klubin gjilanas, që kishte kaluar nga kampione e Superligës në një klub me renditje të dobët në tabelë.

“Te Drita kisha objektivë Kupën dhe pas eliminimit duhej të largohesha. Ishte një gabim që shkova te Drita, pasi skuadra nga kampione kishte përfunduar në vend të fundit dhe çfarë mund të bënte një trajneri në atë lloj situate”, u shpreh Duro.

“Por, ndonjëherë detyrohesh të marrësh disa vendime edhe për shkak të situatës ekonomike. Dua që në skuadrën e radhës të kem një projekt serioz, ku mund të punoj qetë. Ka disa trajnerë në Shqipëri që ndërrojnë 3-4 skuadra në vit, unë nuk e kuptoj këtë”.

Shpëtim Duro ishte trajner i Dritës vetëm nga 17 shtatori i vitit 2018, deri më 14 shkurt të këtij viti. Gjatë 150 ditëve që e drejtoi skuadrën gjilanase, ai i zhvilloi 12 ndeshje, gjashtë prej të cilave i fitoi, katër i humbi dhe dy të tjera i barazoi. 

(Kosova Sot Online)