Zhurma në Anfield dhe djajtë e Romës mund ta ndalin Barcelonën

  • 07 May 2019 - 13:56
Zhurma në Anfield dhe djajtë e Romës mund ta ndalin Barcelonën

Vetëm 90 minuta e ndajnë Barcelonën nga finalja e katërt e Ligës së Kampionëve në dhjetë sezonet e fundit. Përkundër që e ka epërsinë 3:0 nga ndeshja e parë, skuadra e Ernesto Valverdes duhet fillimisht të përballet me atmosferën e zhurmshme në Anfield dhe me djajtë e sezonit të kaluar të Ligës së Kampionëve.

Superparaqitja e Leo Messin në pjesën e dytë në të ndeshjes së javës së kaluar kundër Liverpoolit, në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, bënë që Barcelona ta prekë me një dorë finalen e 1 qershorit, që do të zhvillohet në Ëanda Metropolitano, stadiumin e Atletico Madridit, shkruan Marca.

Mungesat e konfirmuara të Mohamed Salahut dhe të Roberto Firminos e shtojnë edhe më shumë optimizmin në skuadrën e Barcelonës. Megjithatë, përvoja e Barcelonës gjatë viteve të fundit dhe tifozët e Liverpoolit në Anfield bëjnë që kjo sfidë të mos jetë e lehtë për katalonasit.

Ousmane Dembele është i vetmi lojtar që mungon në skuadrën e Valverdes. Trajneri i Barcelonës do të duhet të vendosë nëse dëshiron të luajë me Philippe Coutinhon apo të hyjë në ndeshje me mendësi më defanzive dhe të luajë me më shumë mesfushorë.

Jurgen Kloppi përballet me mungesa më të mëdha për shkak të lëndimeve. Dy yje nga treshja e tij e famshme e sulmit do të mungojnë për këtë ndeshje. Trajneri gjerman tani duhet të zgjedhë mes Xherdan Shaqirit, Daniel Sturridge dhe Divock Origit për dy pozitat e lira në formacionin e parë.

Pamundësia e Virgil van Dijkut për t’u stërvitur me skuadrën të hënën ka bërë që dhimbjet e kokës të shtohen edhe më shumë për trajnerin gjerman të Liverpoolit. Nëse qendërmbrojtësi holandez nuk rikuperohet në kohë për këtë ndeshje, ai pritet të zëvendësohet me Joe Gomezin.

Disfata e fundit e Liverpoolit në Anfield, në Ligën e Kampionëve, erdhi në tetor të vitit 2014, kur Real Madridi siguroi fitore me rezultat 3:0 gjatë ndeshjes së vlefshme për fazën e grupit.

“The Reds” e kanë bërë një rrugë të gjatë që nga atëherë dhe aftësia e tyre për të shënuar gola nuk duhet të nënvlerësohet, pasi që ata i kanë shënuar mbi tri gola brenda 90 minutave në katër ndeshje të këtij sezoni.

Barcelona është e pamposhtur si mysafire në Evropë këtë sezon, me tre fitore nga gjithsej pesë ndeshjet e zhvilluara. Dy prej këtyre fitoreve erdhën në territor anglez, kundër Tottenhamit dhe Manchester Unitedit.

Disfata e tyre e fundit në këtë garë erdhi para 12 muajve, në disfatën e famshme 3:0 kundër Romës, që i eliminoi djemtë e Valverdes nga Liga e Kampionëve, përkundër fitores 4:1 në ndeshjen e parë.

Ngjashëm me atë që ndodhi para gjashtë ditëve, kushdo që luan në formacionin e parë të Liverpoolit do të duhet ta japë maksimumin për ta ndalur Lionel Messin. Kontribut në këtë gjë duhet të japin edhe tifozët në tribunat e Anfieldit.

(Kosova Sot Online)