Alba: Messi, çdo herë e më i mirë

  • 07 May 2019 - 14:04
Alba: Messi, çdo herë e më i mirë

Mbrojtësi anësor i Barcelonës, Jordi Alba, beson se bashkëlojtari i tij, Lionel Messi, është futbollisti më i mirë në botë dhe është shumë më i mirë sesa të tjerët. Alba beson se tani Messi është edhe më i mirë sesa më parë.

Përmirësimi i vazhdueshëm nuk është i lehtë për një njeri i cili ka qenë në kulmin e futbollit gjatë dekadës së fundit. Me shumë rekorde të thyera, Lionel Messit, që i ka arritur 600 gola me Barcelonën, nuk i kanë mbetur edhe shumë gjëra për të arritur.

Ky është sezoni i dhjetë radhazi që ylli argjentinas ka arritur t’i shënojë mbi 40 gola brenda sezonit. Këtë vit, blaugranët janë duke e ndjekur edhe një tjetër tripletë. Ata tashmë e kanë siguruar titullin e La Ligës, janë në finale të Kupës së Mbretit dhe vetëm 90 minuta larg finales së Ligës së Kampionëve.

Pesë-herë fituesi i Topit të Artë e kryeson garën për Këpucën e Artë të Evropës këtë sezon, duke e lënë pas vetes Kylian Mbappen. Këtë sezon, ai pritet ta thyejë rekordin e vet, duke e fituar për herë të gjashtë këtë çmim.

Mbrojtësi anësor Jordi Alba i ka shijuar sukseset e Barcelonës bashkë me Messin, të cilin e vlerëson si futbollistin më të mirë në botë, me një diferencë të madhe me futbollistët e tjerë.

“Për mua, Leo nuk ka ndryshuar. Marrëdhënia jonë ka qenë gjithmonë e njëjta, ai është shumë i mirë. Ne kemi qenë duke luajtur së bashku për shtatë vjet. Ai më ka bërë futbollist më të mirë”, ka thënë Alba.

“Sa i përket atij. Ai është edhe më i mirë tani sesa më parë. Kjo mund të duket e pamundur sepse ai veçse ishte më i mirë në botë. Ai është mbi të gjithë futbollistët e tjerë me një dallim të madh”.

(Kosova Sot Online)