Van Dijk, pas triumfit ndaj Barcelonës: Mund ta mposhtim këdo

  • 08 May 2019 - 08:39
Van Dijk, pas triumfit ndaj Barcelonës: Mund ta mposhtim këdo

Qendërmbrojtësi i Liverpoolit, Virgil van Dijk, insistoi se skuadra e tij do të jetë gati për këdo që do të përballet në finale të Ligës së Kampionëve.

Holandezi Virgil van Dijk e luajti një rol të rëndësishëm në skuadrën e Jurgen Kloppit për ndeshjen e mbrëmshme kundër Barcelonës. Ai beson se me atë paraqitje, Liverpooli dëshmoi se mund t’i mposhtë të gjithë.

Liverpooli e siguroi finalen e dytë radhazi të Ligës së Kampionëve, pasi e mposhti Barcelonën në ndeshjen kthyese gjysmëfinale me rezultat 4:0 në “Anfield”. Skuadra e Jurgen Kloppit kishte pësuar disfatë 3:0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale, në “Camp Nou”.

Pas disfatës në ndeshjen e parë, shumë tifozë kishin menduar se tashmë Liverpooli e kishte humbur një vend në finale të këtij sezoni, mirëpo golat nga Divock Origi dhe Georginio Wijnaldum e përmbysën rezultatin e përgjithshëm dhe i lanë të tronditur lojtarët e Barcelonës.

Barcelona konsiderohej favorite për ta fituar titullin e Ligës së Kampionëve këtë sezon, falë edhe Lionel Messit. Megjithatë, Liverpooli arriti t’i shënojë katër gola për të fituar me rezultat të përgjithshëm 4:3 dhe e siguroi vendin në finalen e këtij sezoni.

“Ne ndiejmë se mund ta mposhtim këdo çdo herë që dalim në fushën e lojës. Ne nuk dalim asnjëherë në fushë duke menduar se nuk do të mundemi ta mposhtim dikë”, është shprehur Van Dijku.

“Do të jetë një sfidë e vështirë për të dy ato skuadra [Ajaxin dhe Tottenhamin] dhe ne vetëm duhet të presim për ta parë se kush do të vijë në Madrid dhe të fillojmë të përgatitemi”.

Liverpooli do ta zbulojë kundërshtarin e finales sonte, pas përballjes mes Ajaxit dhe Tottenhamit në gjysmëfinalen tjetër. Ajaxi po fiton me rezultat 1:0 dhe ndeshjen e sotshme do ta zhvillojë në shtëpi. 

(Kosova Sot Online