Rënia e shekullit! Barcelona u turpërua mbrëmë

  • 08 May 2019 - 09:19
Rënia e shekullit! Barcelona u turpërua mbrëmë

Barcelona e zhvleftësoi fitoren me epërsi prej tri golash në ndeshjen e parë kundër një Liverpooli të gjysmuar për shkak të lëndimeve. Katalonasit e pësuan njërën ndër disfatat më të këqija në historinë e tyre.

Barcelona e bëri përsëri të pamundurës, duke e flakur epërsinë prej tri golave në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve. Përveç që këtë herë, situata ishte edhe më e keqe, shkruan Goal.com.

Eliminimi kundër Liverpoolit ishte më zhgënjyer për Barcelonën sesa eliminimi i sezonit të kaluar kundër Roma sepse ata e dinin që në “Anfield” ishin vetëm një hap larg finales, për të cilën kishin ëndërruar të gjithë.

Barcelona e shndërroi triumfin me rezultat 3:0 në Camp Nou në pluhur, duke u shtrirë dhe duke u bërë tepih i kuq mbi të cilin Liverpooli eci drejt finales së këtij sezoni të Ligës së Kampionëve.

Goli i katërt i Liverpoolit në fitoren 4:0 e definon më së miri dështimin e Barcelonës, pasi që të gjithë ishin si të fjetur në momentin kur Divock Origi dhe Trent Alexander-Arnold u kombinuan për një rutinë të mençur korneri.

Megjithatë, gabimet e katalonasve ishin të vërejtshme kudo në fushë. Gabime te Barcelona kishte edhe jashtë fushës së lojës – vendimet e gabuara të trajnerit Ernesto Valverde. Hetimi fillon këtu dhe në Barcelonë do të ketë pasoja për atë që ndodhi mbrëmë.

Triumfi në kryeqytetin spanjoll ishte jashtë duarve të Real Madridit këtë sezon. Pas tre vjetëve dominim të madrilenëve, Barcelona e pati mundësinë e përsosur për ta përfunduar sezoni me tripletën më të këndshme për tifozët e saj. Gjithçka që i duhej ishte një gol.

Fakti që Barcelona e lejoi ndeshjen të shkojë deri në rezultat 4:0 ishte turpëruese për skuadrën, që kishte premtuar të merrte hakmarrje për eliminimin tronditës në duart e Romës sezonin e kaluar, duke i mënjanuar me kujdes gabimet e sezonit të kaluar.

Sezonin e kaluar, kundër Romës, Barcelona e kishte fituar ndeshjen e parë, në Camp Nou, me rezultat 4:1, mirëpo ndeshjen si mysafir e humbi me rezultat 3:0. Edhe pse rezultati i përgjithshëm ishte 4:4, Roma kaloi në gjysmëfinale për shkak të epërsisë së golit të shënuar si mysafir.

Ndërsa, rënia kundër Liverpoolit bën që Barcelona t’ia pamundësojë vetes tripletën këtë sezon, pasi që katalonasit tashmë e kanë fituar titullin e La Ligës dhe janë në finale të Kupës së Mbretit, ku do të përballen me Valencian.

Gjatë kësaj ndeshjeje, asgjë nuk i shkoi për shtati Lionel Messit. Skuadra e Jurgen Kloppit, bashkë me atmosferën në “Anfield” nuk i lanë hapësirë argjentinasit as për të marrë frymë. Pas golit të katërt, ai dukej i tronditur, i traumatizuar.

Dështimi i së martës do të mbahet mend si njëra ndër momentet më të errëta në historinë e Barcelonës. Kjo ishte rënia e shekullit. 

(Kosova Sot Online)